Në futboll ka shumë klube që huazojnë lojtarë, praktikë normale. Lojtarët e rinj, kur nuk gjejnë hapësirë te një klub, shkojnë diku ku u garantojnë minuta, por ka edhe raste kur lojtarët huazohen me shpresën se një sezon i mirë do t’u rritë vlerën në treg.
Megjithatë, ka raste kur ekzagjerohet dhe preket rekordi, si në rastin e portierit kroat Matej Delaç, i cili pas pak ditësh mbush 25 vjeç.
Është i Çelsit, që e bleu nga Interi i Zapreshiçit në vitin 2010, për 3 milionë euro. Investim i madh, por pa të ardhme, sepse i pafati Delaç nuk ka regjistruar ende asnjë ndeshje me Çelsin, edhe pse është lojtari më i vjetër në klub, pas largimit të kapitenit Xhon Terri.
7 vite në huazim: Vitese në Holandë, Çeske Budejovice në Republikën Çeke, Vitoria Guinaresh në Portugali, Inter Zapreshiç në Kroaci, Vojvodina në Serbi, Sarajevo në Bosnje-Hercegovinë (3 herë), Arl në Francë e Mukron sezonin e fundit në Belgjikë.
Asnjë huazim në Angli, për ta ndjekur nga afër! Ç’kuptim ka si blerje dhe çfarë fshihet nën rrogoz? E di Çelsi, por me siguri këtë verë Delaç do të largohet e nuk do kthehet më në Londër.