Në sezonin e shkuar Kukësi e kërkoi titullin kampion nga eksperienca e lojtarëve që kishte në organikë. E thjeshtë për t’u kuptuar, pasi mjafton të shihet lista e lojtarëve të aktivizuar. Vetëm 2 lojtarë nën moshën 23 vjeç, edhe ata me një minutazh të limituar prej jo më shumë se 25 minutash gjatë gjithë edicionit. Në këtë sezon duket se formula do të jetë e njëjtë, por spikat një tjetër element i veçantë: situata e kapitenit. Lideri në fushë te Kukësi është Rraman Hallaci, i cili luan në shtëpinë e tij, ka shumë eksperiencë, por edhe është lojtari me më shumë prezenca. Në situatat e ndryshme në fushë, Hallaçi nuk do të jetë asnjëherë i vetëm, pasi së bashku me të luajnë dhe 4 lojtarë që më parë kanë mbajtur shiritin në të shkuarën, në skuadrat ku kanë luajtur. Ndriçim Shtubina te Vllaznia, Ylli Shameti te Luftëtari, Rustem Hoxha te Teuta dhe Hair Zeqiri te Flamurtari kanë drejtuar skuadrat e tyre në të shkuarën, në rolin e kapitenit. Në ndeshjen e fundit të pestë ishin në fushë dhe me të drejtë prej tyre pritet shumë. Në Kukës vetëm për diçka nuk do të vuajnë në asnjë moment, pasi lideri në fushë nuk do të mungojë kurrë, ose së paku nuk duhet të mungojë, se në futboll asnjëherë nuk i dihet…