Rekordi i Agollit, titulli i pestë rresht: Nuk dua të ndalem!

Ansi Agolli është sinonim i suksesit. Një futbollist që në karrierën e vet të gjatë ka provuar gjithçka, nga titujt në Shqipëri te pjesëmarrja me Shqipërinë në Europian, nga të qenit kapiten i Shqipërisë, tek triumfet pa fund në Azerbajxhan, pa harruar të luajturit në grupet e Champions League.

Mbrojtësi ynë dje ka festuar sërish: Karabaku ka fituar titullin e pestë rresht në Azerbajxhan, pasi suksesi 1-0 në fushën e Sumkajit ka zyrtarizuar titullin 4 javë para përfundimit.

Një tjetër sezon madhështor për kampionët e Azerbajxhanit, që janë një model për t’u marrë shembull nga gjithë klubet e dorës së dytë në Europë, që synojnë të bëhen të mëdhenj me forcat e veta dhe të mbijetojnë pa dalë me bilance negative e pa pasur nevojë që t’i mbajë gjallë ndonjë president supermilioner.

Agolli mbush 36 vjeç këtë vit, por ka luajtur 29 ndeshje këtë sezon te Karabaku, gjithnjë titullar në Champions League dhe duket qartë që është ende tepër i ri për ta lënë futbollin: “Ndihem mjaft mirë dhe shpresoj të vazhdoj sa më gjatë te Karabaku, pasi gati pas tetë vitesh këtu ndihem si në familjen time dhe çdo gjë po shkon në rrugën e duhur. E rëndësishme në futboll, por edhe në çdo fushë tjetër, është pasioni që ke për atë që bën, ndaj për sa kohë pasioni nuk më mungon dhe fizikisht jam mirë, nuk do të ndalem”.

Agolli dhe Karabaku, një binom suksesi: “Ka qenë një vit i gjatë, pavarësisht se në pamje të parë duket sikur e kemi pasur të lehtë. Pas ndeshjes patëm një moment festimi, por kanë mbetur edhe katër javë, duhet të respektojmë kampionatin”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *