Rekord unik i korçarëve, 19 gola në 14 ndeshje europiane!

0

Skuadra e Dajës hyn në histori, pasi asnjë skuadër shqiptare më parë nuk ka shënuar kaq shumë gola në kaq shumë ndeshje brenda një sezoni në Europë

Skënderbeu i këtij sezoni europian ka përmirësuar rekordet e veta, duke shkruar faqe të reja të historisë. Tani është ekipi i parë shqiptar që kalon 4 ture eliminatore në Europë dhe kualifikohet në fazën me grupe të Europa League. Skuadra e drejtuar nga trajneri Ilir Daja është përballur si e barabartë edhe me kundërshtarët më të frikshëm në letër, ndërkohë që ndaj shumicës së tyre ka dominuar, madje edhe kur ka humbur. Skënderbeu është një ekip i bukur për t’u parë në fushë, pasi zbavit me lojën që zhvillon, me rastet që krijon dhe golat që shënon. Një ekip vërtet europian, që shton të ardhurat e veta me rezultatet që arrin, rrit ambiciet e veta, duke dhënë një model për të gjitha skuadrat shqiptare.

GOLAT – Skënderbeu ka edhe rekorde të tjera për këtë sezon në Europë. Ka grumbulluar për herë të parë 5 pikë në 6 ndeshjet në grup (3 pikë grumbulloi 2 vjet më parë), edhe pse kundërshtarët kanë qenë me potencial dhe superiorë ndaj nesh: Dinamo Kiev, Partizan i Beogradit dhe Jang Bojs.

SULMI – Ajo që e bën të veçantë këtë Skënderbe lidhet me mënyrën si funksionon skuadra korçare në fushë, ku ka arritur të shënojë plot 19 gola në 14 ndeshje. Mesatarja është më shumë se një gol për ndeshje. Janë vetëm 3 ndeshjet, ku Skënderbeu nuk ka mundur të shënojë, 2 me Partizanin e Beogradit dhe 1 me Dinamon e Zagrebit në Elbasan, ku mjaftoi barazimi pa gola për kualifikimin. Kjo është e veçanta e madhe e Skënderbeut të Dajës, që ka tashmë profilin e tij të lojës. Di të sulmojë edhe kur nuk ka në fushë një sulmues të mirëfilltë. Po ashtu, shpërndarja e golave në shumë futbollistë tregon se Skënderbeu funksionon si grup dhe këtu meritë të padiskutueshme ka trajneri Daja dhe stafi i tij. Dje, edhe pse i mungonin lojtarë kyç në formacion, ku veçohen Soue, Radas dhe Xhejms, sërish skuadra korçare shkoi rrezikshëm te porta kundërshtare, shënoi dhe humbi disa raste, pa përmendur penalltinë e mohuar.

 

Përfaqësimi i Skënderbeut në Europa League

Turet eliminatore

Skënderbeu-San Zhulia   1-0

San Zhulia-Skënderbeu   0-5

Kairat A.-Skënderbeu    1-1

Skënderbeu-Kairat A.   2-0

Mlada Boleslav-Skënderbeu 2-1

Skënderbeu-Mlada Boleslav 2-1

(kualifikohet pas penalltive)

Dinamo Zagreb-Skënderbeu 1-1

Skënderbeu-Dinamo Zagreb 0-0

 

Ndeshjet në Grup

Dinamo Kiev-Skënderbeu 3-1

Skënderbeu-Jang Bojs 1-1

Skënderbeu-Partizan B. 0-0

Partizan B.-Skënderbeu 2-0

Skënderbeu-Dinamo K. 3-2

Jang Bojs-Skënderbeu 2-1

You might also like
Leave A Reply

Your email address will not be published.