Reja, Reja, Reja! Flisnim për brezin më të mirë në gjithë historinë e Shqipërisë, në Itali e quajnë…”Mea Culpa”

Nga Klaudio Ndreca

Reja, Reja, Reja! Kur flitet për Shqipërinë, përgjegjësia bie vetëm mbi trajnerin, edhe me të drejtë. Kryesisht për shkakun e skemës, padyshim që 3-5-2 është një fiksim i italianit që nuk heq dorë kurrë, për asnjë arsye të vetme në botë. Por në çdo klub futbolli dhe Kombëtare, skemat përshtaten në bazë të organikës së lojtarëve.

Duke parë grupin e Shqipërisë, kjo skemë e Rejës jo vetëm që nxjerr blof disa prej lojtarëve tonë më të mirë, por njëkohësisht çalon ndjeshëm me Hysajn në krahë të majtë që kurrsesi nuk mund të bëjë pjesën sulmuese. Nga ana tjetër, të luash me tre mesfushorë shkatërrues dhe të kesh Armando Brojën në sulm, është një tjetër mëkat i madh.

Por a është vetëm Reja fajtori i Shqipërisë dhe gjithçka tjetër shkon mirë? Ndeshja me Israelin ishte momenti më i mirë për të reflektuar, është kohë për një “Mea Culpa” siç do të quhej në Itali dhe duhet të nisi nga ne, mediat.

Padyshim që shumë lojtarë janë “fryrë” mediatikisht, kjo është e padiskutueshme. Jo në pak raste e kemi cilësuar këtë brez aktualin si më të mirin e historisë së Kombëtares, duke hedhur poshtë edhe ata njerëz që na dërguan në Europianin e Francës.

Reja bën skemat, por në fund të fundit janë lojtarët që shprehen në fushë. Nëse Armando Broja nuk do të luante ndaj Israelit, të gjithë do të mendonim se me të në fushë Shqipëria do të fitonte bindshëm. Por ja ku jemi, pavarësisht se bëhet fjalë për një sulmues ndryshe dhe që nuk e kemi pasur më herët, sërish Broja nuk është gati për ta marrë mbi shpatulla këtë Kombëtare.

E nëse japim një koment të tillë për lojtarin e Chelsea-t, çfarë mund të themi për të tjerët? Për të vazhduar me mbrojtjen, që gjithmonë ka marrë vlerësimet maksimale në letër pasi vijnë të gjithë nga Seria A, por nuk të jep as gjysmën e sigurisë së Lorik Cana-Mërgim Mavraj, që ishte dyshe e pathyeshme dhe përballoi lojtarët më të mirë në Europë.

Me shkrimet e mediave shqiptare, për ta nisur që nga vetja jonë, shpeshherë krijohet përshtypja se kemi lojtarë që mund të bëjnë magji me topin në zotërim, por kur dalin në fushën e lojës, është krejtësisht e kundërta, janë shumë normal dhe të lexueshëm. Ndoshta bëhet fjalë për brezin më të artë që mund të ketë Kombëtarja, me supozimet e së ardhmes, por në momentin që flasim është i vetmi duke përjashtuar kohën e Panuçit, që i mungon fryma e grupit dhe i sakrificës, sillen pa busull.

Këtu ndikon edhe fakti se shumë lojtarë ndërrohen në ndeshje të ndryshme dhe nuk luajnë bashkë me njëri-tjetrin. Pak minuta për Asllanin, Bajrami qëndron shpeshherë në stol, Brojën e shohim më shumë jashtë Kombëtares se në të, Kumbulla shfaq pasiguri të mëdha dhe ulet sërish në stol. Gjithmonë verdikti jepet në fushën e blertë, është testi i vetëm që nuk gabon kurrë. Ajo që nuk mund të pranohet nga këta lojtarë është fakti se luajnë në kampionate të njohura në Europë dhe rendimenti i tyre zgjat vetëm 45 minuta.

Në dy ndeshjet e fundit, e kanë lëshuar ndeshjen me nisjen e pjesës së dytë, duke mos pasur më fuqi për të përballuar fizikisht kundërshtarin. Një gjë e tillë nuk ndodhte as në vitet e mëparshme kur lojtarët shqiptarë e ëndërronin që të luanin njëherë në Serinë A. Edhe në ato kohë, futbollistët përballonin më shumë sesa 45 minuta. Ky moment duhet të shërbejë që i gjithë grupi aktual i Kombëtares të ul kokën, të jenë modest dhe të kuptojnë se janë ende shumë larg nivelit që duhet të jenë. Kështu nuk shkohet askund… /Sport Ekspres/

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online