Bajerni i Mynihut u mposht me rezultatin e thellë 3-0 nga Mançester Siti mbrëmjen e sotme. Një rezultat i tillë lë pak shanse për të kaluar në turin pasardhës të Ligës së Kampionëve. Por Tomas Tuhel nuk është i pakënaqur me skuadrën e tij. Trajneri i Bajernit ka thënë në konferencën për shtyps pas sfidës se ka parë një ndeshje të shkëlqyer për 70 minuta dhe se nuk ndan mendimin se ekipi i tij bëri një paraqitje të keqe.
“Rezultati është shumë i ashpër dhe ne u ndëshkuam pikërisht kur ishim më mirë se Mançester Siti dhe inercia ishte në anën tonë. Pavarësisht 3-0, unë refuzoj të flas për një paraqitje të keqe, pashë një ndeshje të shkëlqyer për 70 minuta. Mungon pak forma dhe besimi, është një rezultat i vështirë për t’u përtypur, por futbolli nuk dhuron asgjë”, ka deklaruar Tomas Tuheli./Halit Delibashi-Sport Ekspres/