Besnik Prenga është mjaft optimist se Laçi i tij mund të arrijë suksesin në ndeshjen e së enjtes ndaj Anorthosis Famagusta. Tekniku i kurbinasve ka theksuar se me ndihmën e publikut dhe me një impenjim të lojtarëve të tij si në ndeshjen e parë, mund t’i kalojnë qipriotit, të cilët ndeshjen e parë e fituan me rezultatin 2-1. Po ashtu “timonieri” i bardhezinjve i uron shumë sukses dhe Kukësit e Partizanit, duke shprehur dëshirën e tij që tre skuadra shqiptare të avancojnë më tej në kupat e Europës.
Me një gol mund të merrni një biletë për në raundin tjetër, sa besoni te kualifikimi?
Është e vërtetë që na duhet vetëm një gol, por nuk është aq e lehtë sa thuhet. Ne kemi dëshirën dhe do të japim më të mirën tonë për ta arritur. Kam besim se ekip me një lojë taktike dhe nëse do të kemi të njëjtën dëshirë, por edhe me ndihmën e tifozëve, do ta gjejmë atë gol që na duhet. Nuk është një mision i paarritshëm dhe me të gjithë këto komponentë do arrijmë ta shënojmë atë gol që na duhet.
E keni menduar formacionin që do ishin në fushë dhe si është gjendja e skuadrës para kësaj ndeshje?
Është herët për të thënë se kush është në lojë. Ne e kemi në kokë formacionin, pasi lojtarët janë këtu, grupi është këtu. Ne nuk është se jemi të varur nga ndonjë individ. Kam shumë shpresë te këto çuna. Janë stërvitur shumë mirë për 1 muaj e 10 ditë dhe shpresoj të jenë të përqendruar e të japin atë çfarë kanë treguar në stërvitje dhe në ndeshjen e parë. Duhet që të jenë të përqendruar dhe na duhet mençuri në këtë ndeshje.
Sa ndikim ka pasur në ecurinë e përgatitjeve rezultati i marrë në Qipro?
Rezultati na ka karikuar gjatë gjithë javës. Na ka mbajtur në tonus fitues. Edhe unë, edhe lojtarët e tifozët, duhet të dimë se përballë kemi një kundërshtar shumë të fortë, që ka 13-14 lojtarë që luajnë aktualisht apo kanë luajtur në të shkuarën me skuadrat kombëtare. Ne dhamë më të mirën tonë dhe uroj që dhe pasnesër të japim më të mirën para tifozëve tanë të zjarrtë. I bëj thirrje tifozëve kurbinas, që të jenë në një numër sa më të madh dhe ta mbështesin skuadrën, t’i japin përkrahje, pasi kemi lojtarë të rinj. Dëshira është dhe me ndihmën e tifozëve dhe të Zotit do të kalojmë më tej.
Çfarë duhet të bëni ndryshe këtë radhë, për të shkuar tek suksesi?
Ne nuk duhet të pësojmë dhe kjo është shumë e rëndësishme, pasi luajmë në shtëpi, para tifozerisë tonë. Nga tradita Laçi njihet si skuadër që luan më mirë në fushën e vet, diçka që është e ditur që nga themelimi i kësaj skuadre. Veç traditës na duhet dhe mendja, të jemi të koncentruar. Kemi përballë një ekip me përvojë dhe mund t’i kthejë gabimet tona në favorin e saj. Lojtarët e mi duhet të jenë disi më të zgjuar dhe të përqendruar se në ndeshjen e parë. Po ashtu shpresoj që dhe arbitri të mos ndikojë si në ndeshjen e parë, kur na u dha një penallti kundër. Uroj që disa gjëra që nuk i kishim atje t’i kemi në favorin tonë.
Duke parë situatën e ekipeve shqiptare, Laçi mund të jetë e vetmja skuadër që mund të avancojë para, është më shumë presion apo motivim diçka e tillë?
Do të doja që dhe Partizani dhe Kukësi të avancojnë më tej. Të dyja mund të them se kanë rezultate që u jep shpresë për të avancuar më tej, pasi mbi të gjitha gjithçka është në dorën e tyre. Si Kukësi dhe Partizani kanë mundësi për kualifikim dhe do doja shumë që të avanconin më tej, pasi do të ishte diçka e madhe për futbollin shqiptar. Jemi në një pozitë më të mirë se ata, pasi kemi një gol që na jep më shumë shpresë, por më shumë shpresë na jep loja, sakrifica, djersa në këto 40 ditë. Do të doja fitoren tonë dhe kualifikimin e të gjitha skuadrave të tjera që luajnë në Europë, pasi do të ishte diçka me të vërtetë shumë e madhe./ Jurgen Zela