Janë luajtur ditën e sotme dy sfidat çerekfinale të Botërorit të Klubeve 2018, që zhvillohet në Emiratet e Bashkuara Arabe. Nga sfidat e luajtura janë zbuluar edhe kundërshtarët e Realit të Madridit dhe River Plejt.
Përballë kampionëve të Europës do të vendoset Kashima Antlers. Një ekip, që njihet nga Reali i Madridit, pasi dy vite më parë, finalen e Botërorit të Klubeve e diskutuan pikërisht me ekipin japonez. Kampionët e Azisë, kaluan në çerekfinale meksikanët e Guadalahara Çivas, të cilët vinin nën petkun e kampiones së Amerikës Qendrore.
Sfida përfundoi me shifrat 3-2 në favor të japonezëve, të cilët e nisën sfidën në disavantazh, pasi vetëm pas tre minutash lojë ishte Zaldivar, ai që çoi në avantazh ekipin meksikan. Pjesa e parë u mbyll me shifrat 0-1 në favor të ekipit të Çivas, ndërsa në fraksionin e dytë japonezët duket se ishin më të motivuar.
Vetëm katër minuta pas fillimit të 45 minutave të dyta, ishte Nagaki, i cili vuri baraspeshën. Serxhinjo kompletoi përmbysjen në minutën e 69-të, pasi u tregua i saktë nga pika e bardhë. Në minutën e 84-të 19-vjeçari Abe, shënoi një gol mjaft të bukur duke hipotekuar kualifikimin për Kashimën.
Në minutën e 94-të Pulido shënoi për ekipin meksikan, por goli i tij nuk vlejti më shumë se për statistika, pasi Kashima siguroi biletën për të shkuar në gjysëmfinale, ku e pret Reali i Madridit.
Ndërkohë, në ndeshjen tjetër, midis Esperance de Tunis dhe Al Ain, vendasit e drejtuar nga Mamiç, shkatërruan afrikanët, me rezultatin 0-3 dhe kalojnë më tej, ku do të ndeshen me River Plejt. Një ndeshje, që mori drejtim që në çerek orëshin e parë.
Në minutën e 2-të, fillimisht ishte Mohamed Ahmad, i cili shënoi, ndërsa në minutën e 16-të El Shahat, “vrau” takimin, duke dërguar në avantazh të dyfishtë Al Ain. Në pjesën e dytë, Mohamed hipotekoi gjithçka në minutën e 60-të, duke shënuar golin e tretë për vendasit.
Kështu, aventura e kampionëve të Afrikës, Esperance de Tunis, mbyllet këtu, ndërsa kampionët e ligës së Emirateve të Bashkuara, kalojnë më tej, ku tashmë i pret gjysmëfinalja ndaj kampiones së Amerikës së Jugut, River Plejt.