Më në fund, Kristiano Ronaldo do të rikthehet të luajë me Real Madridin në La Liga. Pas pesë ndeshjesh dënim (pas goditjes ndaj gjyqtarit në Superkupën e Spanjës kundër Barcelonës), sulmuesi portugez do të jetë titullar ndaj Real Betisit në “Santiago Bernabeu”. Fjalitë kryesore të trajnerit Zinedin Zidan në konferencë për shtyp ishin ato për rinovimin. Ai e quajti punë të kryer.
“Ditë pas dite përfshihem në këtë punë të vështirë, ku duhet të jesh gati gjithmonë për të performuar. Nuk ndiej presion. Kontrata? Është punë e kryer”, – u shpreh francezi. “Ndaj Betisit do të luftojmë shumë për 90 minuta. Ne mendojmë shumë dhe kemi punuar për të qenë më intensivë në sulm. Po e arritëm këtë, mund të mposhtim çdo skuadër”, – shtoi ai.
Zidan u shpreh i kënaqur për rikthimin e yllit të skuadrës, Kristiano Ronaldo. Ai shpreson se kjo do të jetë hera e fundit që skuadra do të zbresë në fushë pa të. “Sinqerisht, shoh se Kristiano është i lumtur, sepse ajo që atij i pëlqen është të luajë dhe të jetë me ekipin. Ai po kthehet dhe na gëzon shumë fakti që do ta shohim në fushë”.
Për sa i përket Geret Bejlit, i cili në ndeshjen e fundit gjeti golin e shumëpritur dhe fitoi disi besimin e tifozëve, Zidan theksoi se uellsiani është i rëndësishëm, sidomos prej shpejtësisë dhe dinamikës që ka. “Mendoj se nuk është e gabuar të thuhet se kur ka hapësirë, Geret mund të dëmtojë çdo skuadër për shkak të shpejtësisë që ka. Për ne ai ka vlera të mëdha, na duhet në çdo rast”.