Në Madrid duhet një blerje e madhe për të rikthyer buzëqeshjen, sepse momenti është mjaft negativ dhe tifozët janë të zhgënjyer nga fakti se klubi nuk po investon fuqishëm si para pak vitesh.
Sot Marca, zakonisht e mirinformuar në lidhje me çështjet e Realit, ka dalë me lajmin e bujshëm se tashmë Florentino Perez është bindur se blerja e madhe e klubit duhet të jetë Nejmar.
Braziliani ka profilin e duhur për të ringritur klubin në imazh, në rezultate dhe në aspektin ekonomik.
Duket një ide e çmendur, sepse Nejmari luan te PSG dhe kushtoi 222 milionë euro verën e shkuar, por Reali ka disa armë. Së pari, Nejmari do të ishte i lumtur të kthehej në Spanjë, pasi në Francë do të tentojë këtë sezon triumfin në Champions dhe vetëm kaq, duke parë që kampionati është si një seancë stërvitore.
Gjithashtu, në kontratën e tij ekziston një klauzolë që e lejon të largohet sërish për 222 milionë euro.
E fundit: Reali mund t’i japë PSG-së emra luksi si Kristiano Ronaldo e ndonjë lojtar tjetër me peshë, ndaj gjithçka mund të kryhet me sukses në verë, përtej kostove kolosale.