Trajneri argjentinas nuk është më një opsion për stolin madrilen. Londinezët janë të gatshëm të lirojnë 46-vjeçarin vetëm në rast të një oferte të çmendur
Mauricio Poçetino nuk është më një kandidat për stolin e Realit të Madridit. Tekniku argjentinas ishte i preferuari Florentino Perez për të pasuar Zinedin Zidan, i cili u largua në mënyrë të papritur duke lënë të shtangur 71-vjeçarin. Pak ditë më parë Poçetino lëshoi disa sinjale dashurie duke thënë: Kur të flet Reali i Madridit, duhet ta dëgjosh. Por shefi i klubit të Totenhemit Daniel Levi, nuk ka qenë i të njëjtit mendim.
KËRKESAT E TOTENHEMIT
Në filozofinë e biznesmenit anglez, çdo lojtar, por edhe trajner e ka një çmim. Sipas prestigjiozes britanike The Times, drejtuesi 56-vjeçari i Gjelave ka kërkuar 50 milionë euro për të lënë të lirë argjentinasin, i cili si për ironi të fatit firmosi para pak ditësh një rinovim që e mban të lidhur me klubin londinez deri në vitin 2023. Shuma e kërkuar nga Levi ka stepur menjëherë presidentin Perez, i cili tani do i duhet të shikojë në treg për alternativa të tjera për stolin e klubit që ai drejton.