Nga Mustafa Nano
Nuk e dija që Armando Broja kishte patur një problem fizik, për shkak të të cilit nuk ishte i këshillueshëm aktivizimi i tij që në fillim të ndeshjes, dhe gjatë gjithë kohës (deri në çastin që Broja hyri në fushë) po mendoja keq për Edy Reja-n. “Si e ka hallin ky njeri?” thoja për të. “Çfarë di ai që ne të tjerët nuk e dimë? Mos vallë Broja ka qenë thjesht me fat që ka nxjerrë dy ndeshje të bukura, e që ka shënuar po aq gola, dhe në të vërtetë është një lojtar i zakonshëm?” Në favor të rezervave (të supozuara) të Reja-s për Brojën fliste edhe fakti që një trainer tjetër, Ralph Hasenhuttl-i i Southampton-it, ka të njëjtat rezerva. Nuk e fut asnjëherë në fushë si titullar. Dhe kështu, puqja e qëndrimeve të dy ekspertëve të futbollit, të cilët punojnë në vijimësi me Brojën, do duhej të më bënte të mendoja se lojtarit tonë nuk i hahet haku, se nuk ka ndonjë përbetim kundër tij.
Por prapëseprapë nuk arrija të gjeja paqe. Ndonjëherë, në mënyrë budallaqe, më thoshte mendja se këta dy zotërinj duhet të kenë ndonjë paragjykim të natyrës jo futbollistike ndaj Armando Brojës, por të shumtën e kohës i mbush mendjen vetes se “ka diçka që të dyve u ikën sysh, nuk arrijnë ta pikasin”, apo se “kushedi se ç’skaramancí anti-Broja-ne besojnë”. Edhe Mourinho nuk arriti të shihte te Luke Shaë atë që ne të gjithë (edhe Mourinho vetë) pamë më pas në Europianin e fundit. Shkurt, trainerët, edhe ata më të mëdhenjtë, gabojnë në vlerësimin e lojtarëve të tyre. Secili prej tyre ka fiksimet e parapëlqimet e veta, burimin e të cilave s’e ka për gjë ta kërkojë kotmëkot te arsyeja e kulluar. Ne të gjithë këtë bëjmë në jetë, apo jo? S’e kemi për gjë ta shfajësojmë veten për zgjedhjet e gabuara. Jemi të talentuar për këtë. Ndoshta ky është më i madhi talent që kemi (ne, soji i njerëzve).
Mirëpo, pas ndeshjes mora vesh se Edy Reja nuk e kishte futur Armando Brojën në formacionin e parë për shkak të pasigurisë lidhur me një dëmtim të tijin, prej të cilit nuk e kish marrë veten plotësisht. Dhe u lehtësova. Sikur të mos ishte kjo, Reja rrezikonte të më dilte nga zemra një herë e mirë. Se, si mund të lihet në stol një si Broja? Ok, ne kemi Manajn, Cikalleshin, Uzunin, Balajn, të cilët nuk janë dosido e të cilët e kanë treguar veten në kohë “të acarta”, por Armando Broja është i një race tjetër.
Ai mund të shkojë dëm si lojtar (m’u thaftë goja!), dhe kjo mund të ndodhë për arsye nga më të ndryshmet, psh mund të jetë i pamenaxhueshëm karakterialisht, mund të jetë fizikisht i brishtë, mund të jetë i pafat, apo ku di unë çfarë tjetër, por sot për sot, me çfarë po shohim, përveçse është një premtim i madh për futbollin shqiptar (dua të besoj se më në fund do ta kemi edhe ne një futbollist të madh), është gjithashtu edhe një prej yjeve të ardhshëm të futbollit europian. Hej Broja, mos e ço veten dëm! Ti nuk i përket më vetëm vetes. Na përket të gjithëve.
Po mendoni se ky i imi është një shpërthim emocional, e kaq? Ok, puna juaj se si mendoni. Nuk janë vetëm 2-3 gola të tij që më bëjnë të besoj te këto që thashë. Është mënyra se si luan, se si vendoset në fushë, se si luan pa top, se si vrapon, se si e kontrollon topin, se si e lëshon përpara, se si driblon, se si merr nishan portën, pa larguar nga koni i shikimit shokët që mund të ketë aty pranë, etj, etj. Unë jam një fan i tij. For ever.