Rasti i Vllaznisë si i Kombëtares/ “Non grata për arbitrat ose shkarkim për trajnerin”, Brdariç e gjen shpjegimin “te i çuditshmi” Solskjaer

Editorial nga Klaudio Ndreca

Futbolli në Shkodër është fe dhe për këtë nuk ka askush dyshime. Njerëzit janë të apasionuar pas sportit, teksa kërkojnë përfaqësimin në nivelet më të larta për t’iu gëzuar sadopak sukseseve të arritura. Po e njëjta situatë siç paraqitet edhe te Kombëtarja, ku pas një fitore ngrihesh në “qiellin e shtatë” dhe pas një humbje, gjithëkush pret në radhë për të dhënë shkelmimin e tij.

Në pritshmëritë më të larta vijnë edhe zhgënjimet më të mëdha. E ditur! E teksa Vllaznia numëron dy humbje radhazi dhe 9 pikë në tabelë, me të njëjtat statistika si Dinamo, te shkodranët janë shtuar zërat për largimin e trajnerit. Ndërkohë te Dinamo, trajneri Shkëmbi nuk mund ta pranojë që të flitet as për një moment krize të ekipit, pasi jemi ende në javët e para. Megjithëse drejtuesit e klubit i kanë vendosur në dizpozicion trajnerit një “Ferrari”, me lojtarët më të mirë të sezonit të shkuar.

Sa i përket Vllaznisë, opinioni dhe tifozët nuk mund të pranojnë dy humbjet radhazi ndaj kundërshtarëve direkt. E kuptueshme kjo dhe gjithçka vjen për faktin se ne, populli shqiptar, nuk e pranon asnjëherë humbjen në çdo fushë të jetës. Politikë, sport dhe në çdo pjesë tjetër, gjithmonë ka një faj të madh që vjen humbja, asnjëherë për faktin se rivali është më i mirë se ty dhe nuk merret si një mësim, për ta rivalizuar më mirë në të ardhmen. Në të gjitha rastet kur një skuadër humb, në pjesën më të madhe faji i “vishet” vendimeve të arbitrave dhe më rrallë trajnerit direkt, duke vendosur menjëherë në pikëpyetje për shkarkimin e tij. “Non grata për arbitrat ose shkarkim për trajnerin”, kjo është panorama që vjen në Superiore pas një humbje të marrë.

Nuk duhet të ndodh kështu, për të qenë kaq ekstrem, por kjo është natyra jonë. Çfarë po ndodh me Vllazninë? Asgjë më shumë sesa ishte në sezonin e shkuar, ndoshta një marsh më i vogël në nisje që kurrsesi nuk mund quhet si problem i madh, por fakti është i tillë: “Të tjerët janë rritur”. Tashmë kemi Teutën që është kampione në fuqi, Tiranën që është skuadra e momentit, Dinamo që ka marrë lojtarët më të mirë në qarkullim, Kukësin që po bënë lojën më të bukur dhe Partizani që është investuar shumë nga presidenti Demi. Pra, nuk është aq e lehtë sa duket dhe mbi të gjitha, gara zhvillohet më të tjerët.

Por le të kthehemi pak te Vllaznia. Kjo skuadër ka vetëm dy vite histori, të dytin nuk e ka mbushur ende. Jemi duke folur për grupin e ri të punës me Alban Xhaferin në krye, më parë si sponsor dhe me trajnerin Brdariç. Nëse kthejmë kokën mbrapa për vitet e shkuara te Vllaznisë, janë ato ku skuadra endej në vendet e fundit të tabelës dhe jepte shfaqje qesharake mes bojkotit të stërvitjes për mungesën e rrogave, që nuk lidheshin kurrsesi me emrin.

E duke mbajtur këtë llogjikë është e kuptueshme se Vllaznia kërkon kohën e saj për t’u përshtatur me një terren që është krejtësisht tjetër nga ai i sezonit të kaluar, ku mund të merrte pa problem arratinë pasi të tjerëve u kishte mbaruar “benzina” në nisje. Dikur loja që praktikonte Brdariç ishte më e bukura dhe të gjithë marroseshin pas tij, madje edhe para pak ditësh kur fitoi 6-3 ndaj Dinamos, por tanimë konsiderohet më e gabuara pasi mund të pësosh gola qesharak në vendosjen lart të skuadrës, siç ndodhi ndaj Tiranës.

Sigurisht që për këtë skuadër ka shumë kritika që duhen bërë, në mënyrë që të përmirësohet puna. Por në fund të fundit ajo që vlen është baza dhe në gjithë këtë kohë, skuadra ka treguar se baza e saj është shumë herë më e mirë sesa më parë. Kritikat për t’u rritur dhe ato që dëmtojnë rëndë skuadrën, për ta kthyer në presion asfiksues, ndahen në një limit fare të vogël. Në Shkodër, siç ndodhte në shumë raste edhe më parë, anonte nga asfiksia. Nuk kanë qenë të pakëta rastet kur Vllaznia shihej si favorite me një skuadër të madhe për formën që kalonte dhe luante në shtëpinë e saj, me stadiumin e tejbmushur, por në fund dështonte me rezultatin. Për t’u kthyer në gjendjen psikologjike që edhe Reja e tha hapur para finales me Poloninë: “Arsyeja e vetme pse mund të humbim në Air Albania? Nga frika se mund të dështojmë”.

Gjithëkush mund të japi ide dhe mendime sesi shkodranët mund të rriten më tepër në të ardhmen, është në të mirën e skuadrës. Por askush nuk ka tagrin që të kërkojë shkarkimin e trajnerit pas shtatë javësh kampionat dhe më pas të kritikojë presidentët e klubeve sesi këta teknik hiqen kaq lehtë nga puna. Për të mos përmendur rastin në sezonin e shkuar, ku sërish pas një momenti të keq Brdariç bëri gati valixhet për t’u larguar, e teksa u mbajt në minutën e fundit duke i kthyer biletën e avionit, skuadra për pak arriti që të shpallej kampion. Brdariç ishte po i njëjti, megjithëse njëherë u paraqit “i mirë” dhe më pas “i keq”. Paradoksale! Në fund të fundit, te Vllaznia janë “disa burra” që e kanë treguar sesa kuptojnë nga futbolli për t’i ndryshuar fytyrën skuadrën në kohë rekord dhe kanë bërë që në Shkodër të flitet sërish me entuziazëm për futbollin.

Brdariç? Ky është futbolli, duhet të kthejë sytë pak nga Premier League. Pas dy humbjeve me 9 gola të pësuara, Solskjaer ka pasur kore fyese dhe kërkohej largimi i menjëhershëm nga tifozët e Manchester United. Mjaftoi vetëm një fitore kundër Tottenham në transfertë dhe të gjithë mbështetësit e djajëve të kuq po këndonin kore për Solskjaer, këtë herë ishin thirrje dashurie. Vetëm një ndeshje dhe ndryshimi është drastik, por ky është futbolli që ecën me rregullin e jetës: “Të gjithë do të duan kur të kthehesh i suksesshëm, por asnjëherë mos harro, gjatë gjithë kësaj kohe kjo nuk do të thotë se ti nuk vlen”. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *