Rasti i Myrto Uzunit te Kombëtarja/ Si për dreq, kur e do diçka, më tepër të largohet!

Nga Halit Delibashi

Ndeshja me Anglinë na krijoi një “deja vu” të Myrto Uzunit. Me topin në këmbë dhe mes tij e portës gjendet vetëm portieri. Një rast i tillë është dëshira më e madhe e çdo sulmuesi, që golin në këtë çast e sheh si një detyrë të thjeshtë për tu përmbushur. Por e njëjta gjë nuk po ndodh me lojtarin beratas, të paktën në Kombëtare. Në “Uembli“ ishte rasti i disatë radhazi që lojtari shqiptar humb një për një me portierin, duke e shtuar kështu ngërçin psikologjik që sa vjen e ia turbullon kthjellësinë.

Kjo situatë e përsëritur po sos edhe durimin e tifozëve, të cilët aq shumë e kërkuan dikur në fushë me fanellën kuqezi. Por duket se jo e fundit zë peshën më të rëndë në karrierën e Uzunit. I nisur nga kategoritë inferiore të futbollit shqiptar e mbërritja në një nga klubet më të mëdhenj në Hungari është dëshmi e pastër se në futboll nuk ka asgjë të pamundur. Dikur me Tomorin e Apoloninë e tashmë në nivelet e larta të futbollit duke i shënuar gola mbresëlënës Selltikut në Europa Ligë apo duke festuar përpara Ronaldos në Ligën e Kampionëve. Por as një kompeticion kaq madhor nuk e vendos më tepër përpara përgjegjësisë se sa Kombëtarja.

Shumë djersë dhe mund është derdhur për të veshur fanellën kuqezi, që është edhe ëndrra më e madhe e Myrtos. Mbështetja e tifozëve nuk mungoi, as ajo e opinionit sportiv, e në fund as ajo e Rejës. Trajneri italian u dorëzua dhe në fund tregoi besimin e tij të madh për sulmuesin nga Berati, që tashmë po përballet me detyrën më të vështirë. Vendi në formacion nuk falet dhe për një sulmues është goli që e hipotekon. Në këtë pikë dëshira është e madhe, por si për dreq kur diçka e kërkon me ngulm, më tepër të largohet. E njëjta gjë po ndodh edhe me Uzunin, që nga dita në ditë, nga ndeshja në ndeshje shton përgjegjësinë te vetja e tij për të shënuar.

Është pikërisht kjo ndjenjë e cila po v.ret ngadalë qetësinë e lojtarit të Ferencvaroshit, i cili dëshiron të tregojë patjetër se është i denjë për fanellën që po mban mbi supe. Koha po vrapon dhe ka ardhur çasti për tu zgjuar nga makthi i keq që po kalon. Gjithçka që mjafton është thjesht një gol, një rrjetë e tundur, një çlirim emocionesh me të cilat me shpresën se do të dalë edhe përgjegjësia dhe rëndesa psikologjike që ka mbërthyer mendjen e Uzunit. Nuk po kërkohet shumë, në fund të fundit është thjesht një proçes që e bën shpesh në karrierën e tij, edhe në nivelet më të larta të futbollit europian. Aftësitë janë, mundësitë janë, nevojitet thjesht vetëbesim e qetësi./Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *