Hap i madh për Milot Rashicën. Mesfushori i përfaqësueses së Kosovës do të lërë kampionatin holandez për të nisur një aventurë të re në Gjermani. Mësohet se 21-vjeçari do të kalojë te skuadra gjermane për një shifër prej 7 milionë eurosh. Kishte ditë që përflitej për një transferim të tillë, por mësohet se tashmë gjithçka është zyrtarizuar.
Rashica ishte një nga lojtarët më të spikatur te skuadra e Viteshes, çka nuk kishte kaluar pa rënë në sy dhe nga skuadrat e gjermane. Edhe pse ishin disa skuadra në garë për shërbimet e mesfushorit nga Vushtria, Verder Bremen ka fituar këtë duel.
Ditën e sotme Milot Rashica dhe e fejuara e tij kanë qenë në Bremen dhe gjithçka mund të quhet zyrtare. Kujtojmë që menaxheri i 21-vjeçarit është Altin Lala, i cili ka njohje të shumta në Gjermani.
Milot Rashica shkoi në Holandë në sezonin 2015/16. Që atëherë është një ndër yjet e klubit dhe ka edhe rekordin e golave dhe asisteve në dy sezonet e fundit, me 13 gola e 16 asiste. Pas Euro 2016 Rashica braktisi Shqipërinë për Kosovën, i zhgënjyer nga mos grumbullimi për Euro 2016. Prej kohësh Rashica lidhej me disa klube të njohur mes të cilëve edhe Napoli, por kampionati gjerman duket se është më i përshtatshëm për karakteristikat e tij.