Zguro, gati për Partizanin dhe më pas drejt Amerikës

0

Kamza do të sfidojë të dielën Partizanin dhe për këtë takim do të ketë në dispozicion edhe Vangjel Zguron, i cili kishte planifikuar që të udhëtonte drejt Amerikës

Vangjel Zguro ishte një nga “goditjet” e Kamzës në merkaton e janarit. Mbrojtësi la Luftëtarin pak kohë më parë për të nisur një eksperiencë të re në skuadrën e Ramadan Ndreut. Te Kamza e ka nisur me këmbën e mbarë, kjo pasi në takimin e parë të këtij viti ishte pjesë e formacionit edhe pse kishte pak ditë me skuadrën. 24-vjeçari ka fituar besimin e teknikut të Kamzës dhe do t’i besohet një vend në prapavijë. Në janar, Zguro u përfol dhe për një mundësi kalimi te Partizani, kundërshtari i radhës në kampionat, por në fund pogradecari firmosi me Kamzën. Nga një mundësi kalimi te Partizani te një kundërshtar. Në fazën e parë kamzalinjtë arritën që të merrnin pikë të plota përballë Partizanit dhe diçka të tillë do ta synojnë edhe në ndeshjen e kësaj jave. “Demat” janë një rival direkt, pasi renditen në klasifikim menjëherë pas Kamzës, vetëm me dy pikë më pak. Për të synuar një rezultat sa më pozitiv, stafi teknik shpreson që ta ketë në dispozicion të gjithë grupin.

BILETA E ZGUROS

Zguro e ka të domosdoshme që në një periudhë të caktuar të vitit të udhëtojë drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për arsye dokumentacioni. Dhe duket se me Kamzën e ka gjetur këtë akordin, për t’u shkëputur 3-4 ditë. 24-vjeçari fillimisht e kishte prerë biletën, por ka vendosur që ta shtyjë atë, pasi datat përkon me përballjen me Partizanin. Në të tilla kushte edhe vetë lojtari ka preferuar që të bëjë një sakrificë të vogël për të qenë në fushë në përballjen me “të kuqtë”. Pas ndeshjes Zguro mund të udhëtojë drejt Amerikës dhe më pas të kthehet e të jetë i gatshëm edhe për ndeshjen me Kukësin, duke mos humbur kështu asnjë ndeshje. Mësohet se lojtari do të udhëtojë më datën 6 shkurt drejt “tokës së premtuar”.

You might also like
Leave A Reply

Your email address will not be published.