Ramadani: Luftëtari ka bërë kapërcimin e madh

Kapiteni i gjirokastritëve thekson se ekipi i tij meriton të shkojë në Europë: Në Kamzë do jetë ndeshje e luftuar, ta përballojmë me qetësi  

Gëzim Beqiri

Luftëtari është pranë historisë: ka mundësi të mëdha që të luajë në Europa League këtë verë, pasi pesë javë para fundit të kampionatit mban vendin e tretë dhe është në avantazh ndaj rivalëve si Partizani, Laçi dhe Flamurtari. Megjithatë, në këtë fazë finale të kampionatit situata duhet menaxhuar me shumë kujdes, që objektivi të arrihet dhe gjirokastritët të mos jenë në dorë të një ekipi tjetër, siç ndodhi sezonin që shkoi.     

RAMADANI – Behar Ramadani, futbollisti shkodran që aktivizohet me Luftëtarin në mesfushë, duke marrë përsipër edhe rolin e organizatorit, ka qenë kapiten i ekipit javët e fundit, në mungesë të Orjad Beqirit. Ai ka besim se Luftëtari do të përmbushë misionin e tij për të luajtur në Europë, ndërkohë që vlerëson së tepërmi Kamzën, kundërshtarin e radhës: “E meritojmë të jemi pjesë e skuadrave pjesëmarrëse në Europa League. Pas një fillimi jo të mirë të kampionatit, kemi bërë një ndryshim në lojë dhe rezultate, sidomos në gjysmën e dytë të sezonit. Kemi bërë kapërcimin e madh dhe tani jemi të tretët në klasifikim. Jemi skuadra me më shumë mundësi për të marrë pjesë në Europa League. Pesë javë nga fundi i kampionatit na duhet të interpretojmë në fushë cilësitë tona më të mira për të vazhduar serinë e rezultateve pozitive.

“Ndeshja e radhës me Kamzën është më e vështira në këtë fund të kampionatit dhe si e tillë, ka marrë vëmendjen e grupit, me në krye stafin teknik. Është një ndeshje që përcakton objektivin e dy ekipeve: ne të shtojmë mundësitë për t’u përfaqësuar në Europë, kurse Kamza mundësitë për të siguruar qëndrimin në Superligë. Në këtë situatë, nuk do ta kemi të lehtë. Me kontigjentin e lojtarëve që Kamza ka në përbërje, është në gjendje të përballojë çdo ekip, kështu që na duhet të përveshim mëngët, duke luajtur me përqendrimin më të madh.

“Të tregohemi fanatikë në zbatimin e detyrave tekniko-taktike, për më shumë të shfaqim qetësi përballë çdo situate. Pjesë e skuadrës tonë janë shumë futbollistë cilësorë dhe jo më kot Luftëtari konsiderohet si skuadra që zhvillon futboll të bukur. Me autoritetin e emrit të Luftëtarit, që për historinë e vet ka të drejtën të krenohet, në këtë sezon ka bërë më mirë. Pjesëmarrja në kupat e Europës, nëse ndodh, do të jetë historike për këtë skuadër, por edhe për vetë Gjirokastrën, njëkohësisht edhe si një shpërblim për të gjithë të interesuarit sot në këtë ekip. Kjo na motivon që në Kamzë të shkojmë për rezultat pozitiv. Do të jetë një ndeshje e luftuar deri në fund. Me besim të plotë dhe mbështetjen e dashamirësve tanë në Tiranë, kam besimin se nuk do të dalim pa pikë. E përsëris, një fitore në këtë ndeshje, është një hap më shumë drejt Europës“, – u shpreh 28-vjeçari Behar Ramadani.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *