Bushiç beson deri në fund: Kemi ende shanse reale për Europën

Kapiteni i Flamurtarit: Janë edhe 15 pikë në lojë dhe duhet të luftojmë deri në fund. Të mundim patjetër Vllazninë, në fushën tonë s’mund të lëmë pikë  

Elton Nika

Vendi i katërt nuk është larg dhe në Vlorë shpresojnë se mund ta arrijnë në këto pesë javë të fundit, duke pasur parasysh se rivalët e Laçit dhe Partizanit Flamurtari i pret në fushën e tij. Por përpara është Vllaznia, një ndeshje që duhet fituar patjetër, sepse në të kundërt do të kishte vlerë asnjë llogari për kuqezinjtë.

KAPITENI BUSHIÇ – Tomisllav Bushiç rikthehet titullar në ndeshjen e nesërme ndaj Vllaznisë. Sulmuesi kroat i Flamurtarit luajti në Gjirokastër në pjesën e dytë, ndërsa ndaj ish-skuadrës së tij, Vllaznisë, do të jetë në fushë që në fillim. Lojtari me përvojë i kuqezinjve pohon se humbja me Luftëtarin i ka komplikuar shumë shanset për të shkuar në Europë, por ai thekson se asgjë nuk ka përfunduar, duke qenë se në lojë janë edhe 15 pikë, kështu që skuadra duhet të bëjë sforco maksimale për të shpëtuar sezonin. “Për ndeshjen me Luftëtarin, mënyra e lojës nga ana e skuadrës tonë ishte ajo e duhura, por pësuam gol shumë shpejt dhe gjithçka u vështirësua. Goli i parë na goditi shumë psikologjikisht. Megjithatë, ndeshja ishte e mirë në total dhe duhej që minimalisht të kishim marrë një pikë në atë transfertë. Luftëtari ka një skuadër mjaft të mirë, që po bën një sezon të shkëlqyer. Mendoj se asgjë nuk ka përfunduar dhe përderisa matematika na mban ende në lojë, do të besojmë deri në fund për Europën dhe do të bëjmë gjithçka që ta arrijmë. Janë edhe 15 pikë në lojë dhe duhet të shohim me besim që nga ndeshja e radhës. Kemi shanset tona dhe duhet t’i shfrytëzojmë maksimalisht, sepse me kampionatin që kemi bërë, e meritojmë të shkojmë në Europë. Natyrisht, është për të ardhur keq për faktin se për shumë e shumë javë kemi qenë në vend të dytë, pastaj erdhi ajo periudhë negative. Por, e them përsëri, kemi shanse reale për Europën dhe le të shohim përpara”, – ka theksuar kapiteni i skuadrës vlonjate.

VLLAZNIA-LAÇI – Kalendari e favorizon Flamurtarin, që brenda pak ditësh luan dy ndeshje në fushën e tij, me Vllazninë dhe Laçin . Nëse merr 6 pikë, Europa është edhe më e kapshme. “Kemi dy ndeshje radhazi në shtëpi, por së pari të mendojmë vetëm or Vllazninë, pasi do të gabonim po të bëjmë llogari të tjera. Në ndeshjet në fushën tonë nuk duhet të falim, edhe pse ky kampionat ka treguar se nuk ka dallim midis ndeshjeve në shtëpi dhe atyre në transfertë. Vllaznia vjen në Vlorë në një moment shumë të rëndësishëm për të dyja skuadrat. Ata luajnë për pikë mbijetese dhe më vjen keq për situatën ku ndodhen. Edhe ne na duhen më shumë se kurrë pikët për të shpresuar. Ndaj do të jetë një ndeshje shumë e luftuar, por besoj se do të flasë për Flamurtarin në aspektin e rezultatit”, – shton Bushiç.

FORMA – “Gjendja ime? Për çdo lojtar dëmtimi ndikon. Kam munguar në disa ndeshje dhe luajta në pjesën e dytë të ndeshjes me Luftëtarin. Më ka ndihmuar ai aktivizim dhe të shohim me Vllazninë, ku them se do të jem titullar”.

TRAJNERI – “Duro bëri një punë mjaft të mirë me skuadrën. Behari ka dy javë dhe kërkon çdo gjë me detaje edhe në stërvitje. Mendoj se fitorja me Teutën dhe loja me Luftëtarin na kanë sjellë diçka të re. Fitorja me Vllazninë do të ishte shumë e rëndësishme, pastaj të shohim renditjen”, – ka përfunduar kapiteni i Flamurtarit, Bushiç.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online