Ilir Daja ka dhënë një intervistë për gazetaren Enxhi Biba në “News 24“. Trajneri i Partizanit ka prekur shumë tema gjatë fjalës së tij, duke e nisur nga objektivat e të kuqve për këtë sezon e deri te marrëdhënia e tij me kupolën drejtuese të klubit. Daja thekson se raporti i tij me presidentin Demi dhe drejtorin sportiv Olsi Rama është shumë i mirë, si dhe siguron se akush nuk ndërhyn në hapësirën e tjetrit, duke përjashtuar mundësinë e ndërhyrjeve në formacion.
Objektivat
“Ekipe si Partizani në çdo sezon futet me objektiva maksimale. Që do të thotë dy kompeticionet më të rëndësishme, që janë titulli dhe Kupa e Shqipërisë. Ne nuk kemi hequr dorë as nga njëra as nga tjetra, sepse kemi edhe pikët edhe performancën që na e mundëson një gjë të tillë. Luftojmë në të dyja frontet, por nuk duam të mendojmë çfarë do ndodhi në fund fare.
Kukësi dhe Tirana të dorëzuar për titull?
Janë edhe shumë pikë në lojë. Nuk mendoj se ka ndonjë ekip që është dorëzuar. Sigurisht Vllaznia është një hap përpara, ka një diferencë pikësh që i jep një farë qetësie që e lejon për një hal fals. Ndërsa të gjitha ekipet e tjera janë pothuajse aty-aty. Rivaliteti është i fortë. Kjo ka edhe të mirën edhe të keqen e vetë. Me këtë lloj rivaliteti që ka kampionati, edhe nëse bën një hap flas mund të rikuperosh, sepse edhe kundërshtarët e tu do të përplasen me të njëjtat nivele. Përveç bukuri kampionatit, i jep edhe mundësi ekipeve të mos heqin dorë deri sa ia lejon matematika.
Marrëdhënia me presidentin Demi
“Marrëdhëniet janë shumë të mira. Nuk po them të shkëlqyera, që të mos e prishim këtë harmoni. Kemi një harmoni shumë të mirë. Kemi një president, që jo vetëm këtë vit, por ka disa vite që investon në futbollin shqiptar dhe investon goxha. Partizani është nga ekipet primare në raportin e investimeve. Por nga ana tjetër është një person që të lë të qetë të punosh në aspektin profesional, sepse pavarësisht se kërkon objektiva maksimale nuk është i nxituar. Krijon një frymë bashkëpunimi shumë të mirë”.
Marrëdhënua me Olsi Ramën
“Kemi marrëdhënie shumë të mira me drejtorin e përgjithshëm. Kjo për vetë faktin se ai rri shumë afër ekipit. Ne pothuasje jemi nga mëngjesi në darkë bashkë si staf. Çdo problem që kemi mbyllet brenda këtij bashkëpunimi. Është një njeri që unë them ndonjëherë e vetmja e metë që ka është se është më me edukatë dhe me më shumë kulturë se sa pjesa e komunitetit sportiv”.
Ndërhyrjet në formacion
“Të them të drejtën nuk kemi ndërhyrje në formacion. Këtë presidenti Demi e ka shprehur edhe me trajnerë të tjerë. Diskutojmë të gjithë në grup dhe vendimet nuk i marrim secili më vete. Funksionojmë shumë mirë si staf, sepse bota ka vite që punon me stafe. Nuk i ndërhyjmë njëri-tjetrit te hapësira e vetë”, ka thënë Ilir Daja./Halit Delibashi-Sport Ekspres/