Nga Klaudio Ndreca
Partizani është duke punuar për të ndërtuar kompeksin sportiv, që po pritet me padurim edhe nga tifozët. Për të ka shumë kohë që flitet, por nisur nga projekti i madh që presidenti Demi mori përsipër, njëkohësisht ka kërkuar edhe periudhën e vetë për t’u ndërtuar.
Tashmë gjërat duket se po shkojnë në vijë dhe sipas të gjitha gjasave, Partizani do të luajë te Kompleksi në sezonin e ardhshëm. Në një rrëfim për “RTSH Sport”, presidenti i të kuqëve, Gaz Demi, ka prekur shumë tema. Fillimisht duke e quajtur si investimin më të madh që bëhet në Shqipëri dhe në Ballkan, pasi atje do të rriten edhe brezat e ardhshëm. Ndërkohë duke i dhënë fund edhe historive që tregojnë lidhjen mes Partizanit dhe Qeverisë, teksa shprehet se kryeministri Edi Rama ka gabuar që krahasoi futbollin me fasonët, ndërsa shteti nuk ka dhënë asnjë ndihmë deri tani.
“Kjo faktikisht nuk duhet të quhet një shtëpi e re për Partizanin, por një investim i ri për Partizanin. Se si e dini të gjithë, kur kam ardhur unë këtu ka qenë vetëm një strehë. Këtu do të rriten breza për të ardhmen. Është pak për të qeshur nëse e quajmë Partizanin si përfitues të këtij stadiumi. Si fillim do të jetë ajo zona që po rregullohet, për njerëzit që do të punojnë dhe pastaj një pjesë të vogël edhe për Partizanin.
Për të kushtuar, ka kushtuar shumë. Nuk mund të flas tani me shifra, por kryhet vetëm nga bizneset e mia. Këtu ka zero ndihmë për momentin, por nuk e dimë se çfarë do të bëhet në të ardhmen. Tokën e kemi marrë nga shteti? Dhe kjo është për të qeshur, pasi ka qenë një tokë e grabitur e Partizanit dhe ne po e lulëzojmë.
Polemikat me Kukësin? Ka qenë një keqkuptim, nuk e ka pasur me atë qëllim zëdhënësi i Partizanit. Ne gëzohemi për Kukësin që ta bëj stadiumin edhe më të madh, se është në shërbim te futbollit shqiptar. Nuk kemi xhelozi, por gjithsesi të bëhet një ndarje e barabartë. Gjithsesi Kukësi i ka dhënë shumë futbollit tonë dhe ata njerëzit atje duhet të gëzohen.
Presim edhe një mbështetje nga Federata, pasi edhe projektin e kemi dërguar. Ky është investimi më i madh në Shqipëri që bëhet për futbollin, për të ardhmen dhe rritjen e brezave. Si përfundim do të gëzohet Duka dhe përfaqësuesit e UEFA-s më shumë për këtë stadium sesa për “Air Albanian”.
Ky është investimi më i madh në Ballkanin e vogël edhe për rritjen e akademisë. Ne nuk kemi ndihmë as nga qeveria, se pastaj ka edhe barcaleta shqiptarësh. Braçe është një burrë i ndershëm dhe tifoz i flaktë i Partizanit, por e thashë që kemi zero ndihmë nga shteti. Se disa thonë jo Partizani dhe Qeveria janë të lidhur.
Por në fakt unë jam i nxehur edhe me vëllain e drejtorit tonë dhe njëkohësisht kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, se na quajti fasonë. Por ne deklarojmë shumë të mëdha parash, megjithëse e di që nuk ka qenë ky mendimi i kryeministrit, por i stafeve të dobëta që ai ka. Gjithsesi shpresoj dhe besoj se ndeshjet e sezonit tjetër do i luajmë te kompleksi i ri”, ka thënë Demi. /Sport Ekspres/