Kroati u shpall lojtari i ndeshjes në Beograd: Humbja erdhi nga gabimet tona, por edhe fati nuk ishte me ne në atë ndeshje
Leonard Trebicka
“Në Beograd, unë dhe gjithë skuadra bëmë ç’ishte e mundur të merrnim rezultat pozitiv, por nuk ia dolëm. Jo gjithmonë fiton kur luan mirë, ky është “ligj i pashkruar” për futbollin. Jam i lumtur që jam vlerësuar nga UEFA, por do të isha dyfish i lumtur, nëse do të ktheheshim me pikë nga Beogradi. Tani të mendojmë vetëm për Vlllazninë, ku duhet të marrim fitoren e radhës për të vazhduar rrugën drejt titullit”, – thekson mes të tjerash në intervistën për “Sport Ekspres” mbrojtësi i Skënderbeut, Marko Radas.
– Radas, një ditë më pas, si do ta vlerësonit ndeshjen e Skënderbeut në Beograd, ku humbët 2-0?
– Jemi kthyer nga Serbia dhe jemi munduar të lamë pas atë ndeshje. Kemi bërë një seancë stërvitore në Durrës dhe po kthehemi në Korçë. Nuk di çfarë të them sot (dje), pasi më vjen vërtet keq që u kthyem me humbje nga Beogradi. Nuk e meritonim, sepse luajtëm mirë, e panë të gjithë.
– Humbi Skënderbeu, por ju u shpallët lojtari i ndeshjes nga UEFA…
– Jo vetëm në ndeshjet europiane, por gjithmonë për këtë fanellë kam dhënë më të mirën. Edhe në Beograd, jo vetëm unë, por gjithë skuadra, bëmë ç’ishte e mundur për të marrë rezultat pozitiv. Nuk fiton gjithmonë kur luan mirë, ky është “ligj i pashkruar” për futbollin. Sigurisht, ndjehem i lumtur që jam vlerësuar nga UEFA, por do të isha dyfish i lumtur, nëse do të ktheheshim me pikë nga Beogradi.
– Keni qenë aktiv në çdo moment, por u duk shumë e vështirë përballë Partizanit të Beogradit?
– Nuk isha vetëm unë, por të gjithë lojtarët bëmë më të mirën, pastaj vlerësimet i bëjnë të tjerët. Për këtë i falënderova. Më vjen keq, sepse pësuam një humbje nga gabimet tona. Ndoshta këtë herë nuk na donte fati dhe u kthyem pa pikë. Jemi të mërzitur për këtë.
– Sipas jush, pse humbi Skënderbeu në Beograd?
– Të dy golat e pësuar erdhën për gabimet tona. I pari erdhi pas një goditjeje standarde dhe nëse do të ishim vendosur më mirë, mund ta shmangnim. I dyti erdhi nga një gabim tjetër dhe kaq ishte krejt ndeshja. Vendosën vetëm këto dy episode, prandaj më vjen keq që nuk morëm pikë. Gjithsesi, e treguam veten, treguam se çfarë jemi në gjendje të bëjmë edhe kur luajmë në një stadium, ku i kishim të gjithë kundër. Në futboll nuk fiton gjithmonë më i miri.
– Pas kësaj humbjeje, i keni prerë shpresat për vendin e dytë në grupin B?
– Të gjithë e dinë se objektivi ynë kryesor është fitimi i titullit kampion. Në Europë kemi shkuar vërtet larg, madje po vijojmë të luajnë në grupe. Kishim shanset tona, nëse merrnim një rezultat pozitiv në Beograd, por tani çdo gjë është e vështirë. Do ta provojmë, pasi janë edhe 180 minuta të tjera për t’u luajtur. Beogradi u mbyll me dëshpërim, sepse nuk morëm gjë, edhe pse luajtëm shumë mirë në atë 90-minutësh.
– Të dielën në Korçë është vendosur të luhet ndeshja me Vllazninë. Si e parashikoni?
– Sot (dje) e mësuam se do të luajmë në Korçë. Nuk më intereson të merrem me këtë çështje. Jemi nisur për në Korçë, në mënyrë që ta përgatisim këtë takim ashtu si duhet. Si në Shkodër, por edhe në Korçë, për ne është njësoj. Do të kërkojmë vetëm fitoren.
– Vetëm dy stërvitje për këtë ndeshje. Do të ndikojë ky fakt në gjendjen tuaj?
– Nuk është hera e parë që na ndodh një gjë e tillë. Jemi mësuar me volum të madh ndeshjesh dhe nuk është puna se na ka mbetur shumë kohë. E kemi kontigjentin dhe formën optimale, thjesht jemi pak të lodhur, por duhet ta luajmë dhe nuk duhet të falim edhe në këtë përballje.
– Vllaznia ka ndërruar trajnerin dhe ka ndalur Kukësin në shtëpi. I trembeni këtij fakti?
– Nuk i trembemi asnjë kundërshtari dhe deri sot i kemi vlerësuar të gjithë, si ata që ndodhen pranë nesh, por edhe të tjerët më poshtë në renditje. Me këtë dua të them se të gjitha ndeshjet që kemi luajtur kanë qenë të vështira. Ndaj Vllaznisë do të bëjmë detyrën tonë, aq më tepër në Korçë. Duam trepikëshin e radhës për të vijuar shkëputjen. Në Europë kemi shkuar larg për meritat tona të padiskutueshme, edhe pse sezonin e kaluar nuk u shpallëm kampionë. Jam i bindur që këtë sezon do të fitojmë titullin dhe më pas në Europë do ta kemi më të lehtë. Jemi optimistë para Vllaznisë dhe po mendojmë vetëm këtë takim. Duhet të kthehemi te fitorja, pas humbjes në Beograd.