Luan me të rinjtë e Interit dhe shihet si një nga lojtarët më me perspektivë. Armand Rada, pas ndeshjes u shpreh i bindur se skuadra e tij mund të arrijë të triumfojë në dy ndeshjet e mbetura. 18-vjeçari po ashtu tregoi dhe synimin e tij të madh, që mbetet përfaqësuesja e parë e Shqipërisë.
“Ukrainën e njihnim që është kundërshtar shumë i fortë. Ndeshja shkoi mirë, ne e vumë në vështirësi, por gabuam shumë raste dhe futbolli kështu e ka. Një gabim na kushtoi dhe u ndëshkuam, mund të kishte ndodhur dhe e kundërta, por kështu e ka futbolli. Duhet edhe pak fat, por paraqitja ishte shumë e mirë dhe kjo ka rëndësi. Kemi shumë shpresa për ndeshjet e ardhshme. Ukraina ishte nivel të lartë në çdo repart, edhe pse dhamë gjithçka. Do ta tentojmë deri në fund, besojmë te fitoret ndaj Norvegjisë e Malit të Zi. Natyrisht, fitoret vlejnë gjithnjë, por synimi ynë është përgatitja për U-21, për të arritur më pas Kombëtaren e parë. Nëse luajmë si sot, fitoret do të vijnë. Mesfusha e U-21 është shumë cilësore, por unë synoj të luaj aty dhe të kap Kombëtaren e madhe, si çdo futbollist”, përfundoi Rada.