Nga Klaudio Ndreca
Një sezon shpërthyes i Luka Joviç me Frankfurtin ka shërbyer për të shkuar në Madrid, atje ku mban veshur fanellën e Realit. Arritje e madhe për sulmuesin serb, por jemi në kohën kur përtej aftësive, futbollisti është një produkt që shitet në saj të reklamimit që i bëhet.
Në këtë drejtim Joviç e ka pasur të shtruar rrugën, pasi Fali Ramadani është jo vetëm menaxheri shqiptar më i njohur, por është marrë me çështjet më të vështira të futbollit europian, duke i zgjidhur si me magji.
Edhe kalimi i Joviç te Reali për 60 milionë euro erdhi falë Ramadanit, por gjigandët spanjollë hodhën në kosh këto para si rrallëherë duke gabuar në investim. Jo vetëm që nuk janë lënë gjurmë në fushën e lojës ashtu siç edhe pritej, por Joviç ka përfunduar shumë herë në qendër të skandaleve.
Rasti i para pak javëve do të bënte një zhurmë të madhe, kur sulmuesi theu karantinën dhe shkoi për të festuar datëlindjen e së dashurës në Serbi, në mes të pandemisë. Kjo solli reagime të ashpra nga të dyja anët, madje me Vuçiç që do të shprehej se nëse Joviç do të dilte në rrugë në Serbi do të arrestohej pa u plotësuar 14 ditëshi i izolimit.
Para pak ditësh ka dalë edhe njoftimi zyrtar se Joviç është dëmtuar në këmbë dhe do të humbas dy muaj stërvitje dhe prezencë në fushë. Por nga se erdhi dëmtimi? Mediat spanjolle raportuan për një dëmtim teksa ishte duke u stërvitur në shtëpi, por në mediat serbe shkruhet se Joviç ka rënë nga muri me një situatë tërësisht të pashpjegueshme dhe duke mos u dhënë më shumë detaje. Mes shumë telasheve dhe justifikimeve fëmijnore, Reali i Madridit i harxhoi kështu 60 milionë eurot. /Sport Ekspres/