Nga Sllovakia në Rumani, lojtarët shqiptarë që aktivizohen në ligat e ndryshme europiane, kanë arritur të lënë gjurmë për skuadrat e tyre. I pari është Kristi Qose, që në këtë sezon vazhdon “vesin” e golit. Mbrojtësi 23-vjeçari u aktivizuar në mesfushë, duke përbërë dyshen përpara repartit difensiv në takimin që Ruzomberok luajti ndaj Miçalovçes.
Në fundin e pjesës së parë, korçari, i cili është edhe pjesë e Kombëtares shqiptare, realizoi golin e avantazhit të përkohëshëm 2-0 të skuadrës së tij. Por, edhe pse fitorja dukej e siguruar, Ruzomberok nuk arriti të ruante avantazhin, madje humbi edhe një penallti, dhe në fund u detyrua të kënaqej vetëm me një pikë. Për Kristi Qosen, ky ishte goli i katërt sezonal në elitën e futbollit sllovak.
Një tjetër shqiptar që shkëlqeu është Enriko Papa.Ai mbetet një element i rëndësishëm për Botoshanin në Rumani, edhe pse e nisi ndeshjen nga stoli. Ekipi i djaloshit nga Kuçova, barazoi 1-1 në fushën e Voluntarit, me vendasit që shënuan të parët me 11-metërsh.
Vetëm pak minuta pas atij episodi, dhe përpara pushimit të ndeshjes, Papa hyri në fushë, ndërsa në të 80-ën dha asistin e golit të barazimit nga Çitosha. Barazimi në fushën e skuadrës që mbyll renditjen, cilësohet një hap fals për Botoshanin, por falë aktivizimit të ish-lojtarit të Tiranës, Teutës dhe Lushnjes, ekipi evitoi humbjen.