Peshëngritësi i njohur shqiptar, Erkand Qerimaj, ka qenë i ftuar në emisionin “Dita Jonë” në “A2CNN”, ku ka folur në lidhje me përgatitjet që ai po bën për kampionatin evropian të peshëngritjes që do të fillojë këtë fundjavë në Gjeorgji.
OLIMPIADA “TOKIO 2020” – “Garat ku kemi marrë pjesë nuk vlejnë vetëm për medalje, por edhe për të marrë pikë për Olimpiadën “Tokio 2020”. Tani Olimpiadë shkohet me kualifikim individual, pikët nuk mblidhen më si ekip”.
VENDI I TRETË NË BOTËROR – “Në Amerikë unë u përgatita për të marrë një medalje në vendet e treta, por në garë nuk arrita të jepja maksimumin tim dhe dola në vend të katërt me 155 kg në shkëputje dhe 188 kg në shtytje. Në kontrollet që u zhvilluan, doli që peshëngritësi i vendit të tretë kishte përdorur substanca të ndaluara. Pas procedurave të federatës botërore mu dërgua medalja dhe certifikata”.
REKORDET – “Rekordi që vura tani në kampionatin kombëtar është 193 kilogram, në peshën 81 kg, pasi kam ndryshuar peshën nga 77 kg në 81. Atë kampionat vendosa pesë rekorde të rinj”.
EMOCIONET E PODIUMIT – “Himni në podium është moment shumë emocionues. E kam përjetuar në shumë raste. Është puna e shumë viteve. Ti punon të gjithë vitin për pak sekonda, është një emocion i madh, të paktë janë ata që arrijnë në podium. Është një krenari e papërshkrueshme të shikosh flamurin tënd të valëvitet, për të paktën një ditë je heroi i vendit tënd. Sidomos këto kohë, ku rrallë na bie të shikojmë lajme pozitive”.
KUSHTET – “Palestra në fakt është rregulluar. Është bërë një ambient i ri te qendra olimpike. Stërvitemi në kushte të mira krahasuar me të shkuarën, por jemi ende shumë mbrapa me shtetet evropiane. Duhet të jemi në të njëjtin nivel që të konkurrojmë. Duhet punuar edhe mbi ligjin e sportit dhe trajtimin e sportistëve”.
RUTINA E STËRVITJES – “Stërvitem 2 orë e gjysmë paradite dhe 2 orë e gjysmë pasdite. Është një stërvitje e fortë, nuk është si një vrap nga liqeni ose një stërvitje rreth një orë në palestër. Nëse pretendon të arrish rezultate në rang botëror, çdo ditë duhet të kërkosh të përmirësohesh. Regjimi është shumë i rëndësishëm, duhet të dish ku të pushosh dhe çfarë të hash. Sidomos para garave ku do të na duhet të biem 2-3 kile dhe hamë ushqime shumë të lehta. Për të arritur deri te suksesi ka shumë sakrifica. Dhimbjet muskulore janë pjesë e stërvitjes. Në nivele elitare ka dhimbje të përditshme”.
TRAJNERI – “Trajneri im është Zef Kovaçi. Bashkëpunoj prej më shumë se 10 vitesh me të. E kam si shok, psikolog, prind trajner. Ai bën të gjithë. Ndihem me fat që punojmë bashkë”.
OBJEKTIVI NË EUROPIAN – “Objektivi im në radhë të parë është që të marrë pikët e vlefshme për Olimpiadën e më pas të konkurroj për medalje. Kemi tre prova në dy stilet, në provën e parë do synojmë të futemi në garë sa për pikët, ndërsa më provat e mëpasshme do punojmë për medaljet”.