Sekondat e fundit të ndeshjes mes Partizanit dhe Vllaznisë kanë prodhuar mjaft polemika. Pas rishikimit të pamjeve në monitrorin e VAR-it, arbitri ka anulluar golin e akorduar fillimisht në favor të shkodranëve. Megjithatë pothuajse gjithë opinioni sportiv e ka parë si të paarsyeshëm këtë vendim të gjyqtarit, duke e cilësuar golin të rregullt.
Drejtori i përgjithshëm i Partizanit, Olsi Rama, ka folur pas përfundimit të gjysmëfinales së Kupës së Shqipërisë, ku ka dhënë këndvështrimin e tij në lidhje me këtë çështje. Rama është i mendimit se arbitri e ka anuluar me të drejtë golin e Vllaznisë.
“Sulmuesi i Vllaznisë ka vënë dorën te Masanga për t’u ngritur, këtë e pashë me përsëritje. Që të jem korrekt kur ankohem për arbitrat… Por të mos e kisha parë si detaj, do të kisha thënë që ishte gol i rregullt. Mendoj se faulli ka qenë te Masanga, pastaj u mbetet arbitrave që ta interpretojnë.
Barazimi nuk kompromenton asgjë, pasi e mira e Kupës është që janë dy ndeshje. E dinim që duhej të shkonim për të fituar me Vllazninë në Shkodër. E dimë që duhet ta bëjmë edhe në ndeshjen në kampionat.
Mbaj mend një herë e një kohë një ndeshje të Juventusit ndaj Bajernit, Allegri shprehej: “Dua të dalim 0-0”. Por, atëherë ishte rregulli i golit në fushë kundërshtare, e tani nuk është më. Do të na duhet patjetër që në çdo situatë të gjejmë golin, duhet të kthejmë e gjejmë atë aromën e golit, të kthehemi fitues”, ka deklaruar Olsi Rama./Halit Delibashi-Sport Ekspres/