Superkupa e Shqipërisë ka shkuar në duart e lojtarëve të Dinamos. “Nëndetësja blu” ka mposhtur Egnatian në finale me shifrat 1-3. Rrogozhinasit gjetën të parët rrugën e rrjetës. Ruçi zhbllokoi rezultatin që në minutën e 9 të takimit, por në fund goli i tij do të shërbente vetëm për statistikë.
Dinamoja shfaqi një tjetër fytyrë në pjesën e dytë të lojës. Bregu riktheu baraspeshën në minutën e 54-t, ndërsa vetëm 5 minuta më vonë Nani përmbysi shifrat. Në fund, kur kishin mbetur edhe pak sekonda nga vërshëllima përfundimtare e arbitrit, Qefalia vulos rezultatin në 1-3 nga pika e bardhë e penalltisë. Dinamoja u kurorëzua kështu fituese e Superkupës së Shqipërisë, teksa Ilir Daja fitoi duelin e heshtur me Edlir Tetovën për trajnerin më të mirë në kampionatin shqiptar. Pas përfundimit të finales, protagonistët kanë dhënë intervistat e tyre për emisionin “Super Gol” në “RTSH”.
Bardhi (Presidenti i Dinamos): “Ishte një vit shumë i bukur. Që nga ardhja e Dajës i prisnim këto surpriza. Ardhja e Dajës për mua është bërë merkatoja. Ne i ndajmë mendimet kur nuk jemi direkt në TV. Tekniku Daja është shprehur që duhet gjetur sulmuesi i duhur. Nuk është e lehtë që të gjesh një sulmues në janar. Janari nuk sjell prurje të mira, por ne do të kërkojmë. Para 5 viteve kur unë mora Dinamon, nuk ka pasur një akademi. Ne kemi ndërtuar një akademi të mirë gjatë rrugës. Me investimet që jemi duke bërë në terrene dhe infrastrukturë, mendojmë që ta çojmë përpara. Mendoj që jemi në rrugën e duhur. Rinovimi i kontratës? Nuk do rri vit për vit që t’i rinovoj kontratën. Daja ka kontratë 30-vjeçare, ai do plaket me mua. Klauzolë nëse largohet? Po. Do më marri me vete”.
Tetova (Egnatia): “Nuk kishim asgjë në dorë. Dinamoja e meritoi. Kemi bërë një gol të rastësishëm, me fat, sepse rrëshqiti lojtari i Dinamos. Pastaj nuk kemi bërë asgjë. Do të shoh ndeshjen që të bëj një analizë më të saktë. Mund t’i japim merita Dinamos te pjesa fizike, sepse bëri qarkullim të topit të dendur. Sot ishte superiore vetëm Dinamoja. Nuk morëm as topin e parë, as të dytin, nuk bënë as dyfishim markimi. Nuk ishim të gatshëm as të merrnim topin, duke lënë kështu edhe shumë hapësira. Në finalen e kaluar 120 minuta kanë folur vetëm për ne. Por kështu janë fitoret, dikush i luan, dikush i fiton”./Sport Ekspres/