Partizani po vërtitet në ujëra të turbullt këtë sezon, ku janë edhe 6 javë përpara për të dalë nga kjo situatë. Nga titulli kampion i vitit të shkuar, të kuqtë tani e gjejnë veten në mesin e tabelës, larg objektivit të fillimit të sezonit. Të shumtë kanë qenë personat nga bota e sportit dhe që kanë mbajtur veshur fanellën e kësaj skuadre me histori të futbollit shqiptar, të cilët kanë folur për krizën e Partizanit.
Kritikat për drejtuesit nuk kanë munguar dhe këtë herë vijnë edhe nga ish-futbollisti i njohur i kryeqytetasve, Mustafa Fagu. Ky i fundit ka folur për emisionin “Fax Sport”, ku ka analizuar situatën e klubit. Pesha e fajit bie mbi drejtorin teknik dhe presidentin sipas tij, të cilët nuk kanë ditur aspak të drejtojnë. Në fjalën e tij është përmendur edhe transferimi i Trashit, për të cilin Fagu thotë se është të qash e të qeshësh njëkohësisht. Shifra e përfunduar në arkat e Partizanit është shumë e ulët për një lojtar si Trashi, që në opinionin e Fagut duhet të ndiqte stemën e jo paratë.
“Partizani e ka nisur shumë keq sezonin dhe pozicionimi në Superiore tani tregon se është një ekip i papërfillshëm në shumë gjëra. Edhe Besëlidhja e ka eliminuar nga Kupa apo jo? Kjo është e dyta herë, pa dashur t’i ulur vlerat, por Besëlidhja është zero para Partizanit. Mirë që nga Kupa u eliminua, mirë që e fitoi kampionatin pas çerek shekulli, por për mua është në rrugë të gabuar ekipi. Përgjegjësia bie me Gaz Demin dhe mbi Olsi Ramën. Drejtuesit nuk i kanë lënë dorë të lirë ish-trajnerit.
Nëse ti i thua trajnerit që kërkon të kompozoj ekipin, që ik ti se i di unë ato punë, kur ti nuk i di fare, atëherë përbën problem. Faktet e treguan që Demi dhe Rama janë shumë poshtë në lidhje me problemet e sportit. “Shumë e flasin, por pak e luajnë“, kështu ka qenë një shprehje. Fajtorët janë ato dhe dy gjëra duhet të kemi parasysh. Transparenca dhe përgjegjësia janë shtyllat themelore në ndërtimin e ekipit. Me këtë gjendje që unë kam parë tek kjo skuadër, Partizani nuk merr më shumë se 3 apo 4 pikë në ndeshjet e mbetura. Sormani të largohet me mbarimin e kampionatit, por Partizani le ta gjejë përgjegjësinë te Gaz Demi dhe Olsi Rama.
Ku ta kërkojë përgjegjësinë unë, te kush? Hoqën Gegën, pastaj Lerdën dhe tani Sormani. Duhet ndryshuar strategjia, nuk drejtohet kështu klubi. Kur unë si president dhe drejtor teknik nuk mbaj përgjegjësi, atëherë përfundohet në këtë pikë. Kështu është kur Partizani fiton kampionati pas çerek shekulli. Nuk ka mundësi që të ndodhë kjo. Ne e kishim fituar kampionatin në 93, këta e kanë fituar vjet. Pra 26 vjet pa arritur që ta fitojmë, është një turp i madh. PËrgjegjësia këtu është vetëm e dy drejtuesëve. Këta kanë një zakon të keq, nuk as Asamble as Bord Drejtues. Në këtë kuptim kjo gjendje i përligjet.
Kam biseduar me Kapexhen, sepse këta kanë edhe një të keqe. Jo se jemi profesorë e trajnerë e njerëz të dëgjuar në fushën e sportit, po asnjëherë më tha nuk ta kam dëgjuar emrin te drejtuesit për sa vite kam unë këtu. Se këto janë edhe shumë mosmirënjohësa. Në fund të fundit kush është drejtori teknik i Partizanit? Mund të jetë marrë me vizatime në shkollë, gjimnas apo lice, por nuk është marrë kurrë me sport. Ne kemi 40 vite që merremi me sport dhe kemi arritur t’i kalojmë të gjitha shkallët. Kemi qenë lojtarë të Partizanit, lojtarë të ekipit Kombëtar, u bëmë profesorë. Domethënë këta kanë zhdukur strukturat. Edhe në periudhën e tanishme je i detyruar të kesh anëtarësi dhe bord, sepse anëtarësia e zgjedh presidentin e klubit, jo Olsi të zgjedhi Gazin dhe Gazi të zgjedhi Olsin. Anëtarësi do të thotë që kur shkojnë 20, 30 mijë vetë në stadium, janë këta 20 mijë vetë të Partizanit që zgjedhin presidentin. Kjo është shkalla e demokracisë se si zgjidhet presidenti. Tifozi që shpenzon dhe paguan lekët të zgjedh ty.
“Trashi? Po është turp mo, çfarë janë 250 mijë euro. Po Trashi është lojtar i ekipit kombëtar. Po kjo është të qash dhe të qeshësh. Mos të shihte interesin financiar, por të shihte stemën, të shihte traditën e Partizanit. Të rrinte edhe këto ndeshjet e mbetura dhe të ikte në Kuvajt në fundin e korrikut. Kuvajti aty është, nuk ikën. Për mua është lëvizje e gabuar”, ka deklaruar Mustafa Fagu./Halit Delibashi-Sport Ekspres/