“Vikingu” shqiptar është gati për të realizuar ëndrrën e tij të madhe, edhe pse në konferencën për shtyp tha se do të mjaftohej vetëm me 1 ose 2 minuta. Do të debutojë në 45′ e dyta
Nga Anton Cicani
Në fytyrën e tij sheh atë të një djaloshi që ka pak frikë, emocione, pasion, dëshirë, por edhe shpresë, optimizëm dhe shumë ngazëllim… Është i ndrojtur dhe shpesh i merret goja, por transmeton një harmoni në ambient. Kamer Qaka e di mjaft mirë se thirrja te Shqipëria përfaqëson për të një etapë të rëndësishme të karrierës dhe, në një farë mënyre, i jep mundësi që më në fund të tregojë se është atdhetar dhe një gjak kuqezi jo vetëm me tatuazhin që mban në parakrahun e djathtë, por edhe në fushën e lojës.
Në këto shtatë ditë stërvitje, përshtypjet që ka lënë kanë qenë të gjitha pozitive dhe trajneri Kristian Panuçi, sipas asaj që ka mësuar gazeta, ka vendosur t’i japë shansin e artë. Do të zbresë në fushë, por jo për 1 ose 2 minuta, siç vetë futbollisti tha në konferencën për shtyp, por për më shumë. “Që kur kam qenë i vogël e kam parë kombëtaren duke luajtur dhe ishte ëndrra ime të luaja për Shqipërinë. Për mua nuk ka rëndësi nëse luaj 1, 2 apo 3 minuta, unë dua vetëm pak minuta dhe më mjafton që vetëm kombëtarja të fitojë”… Qaka është gati dhe ndoshta nuk do të jetë një “viking”, i ftohtë, por i ndezur në momentin kur do të vijë radha e tij që të zhveshë tutën dhe të zbresë në fushën e lojës.
Ndjekja e gjatë – Sakaq, “Sport Ekspres” zbulon një prapaskenë interesante. Kristian Panuçi kishte 3 muaj që ndiqte futbollistin në fshehtësi të plotë dhe, madje, kishte dërguar edhe një ndihmësin e tij për ta parë në kampionatin rumun, duke marrë “ok” përfundimtar. Poli Iashi, në anën tjetër, kishte vendosur që të bënte të pamundurën për t’i dhënë nënshtetësinë rumune, që të vishte fanellën e Rumanisë, por trajneri italiani kuptoi gjithçka dhe sa erdhi mundësia e miqësores së parë, vendosi t’ia bënte thirrjen, duke i dërguar një mesazh dhe duke lumturuar 22-vjeçarin.
Si Cana – Ka edhe një histori të bukur që lidh Qakën me kombëtaren… Lorik Cana do të thirrej menjëherë në kombëtare e madhe, në moshën 19 vjeç dhe kur kishte mundësi zgjedhje mes Zvicrës dhe Francës. Ishte 11 qershori i vitit 2003 kur ai debutoi me fanellën kuqezi ndaj Zvicrës… Edhe Kamer Qaka ka një histori të ngjashme, sepse në moshën 22-vjeç vjen direkt në kombëtaren e madhe, teksa më parë nuk është ftuar as nga U-19 dhe as nga U-21.