Për të respektuar të besuarit e tij për mënyrën se si reaguan në ndeshjen e fundit me Elbasanin, ku fitorja është konsideruar shumë e vyer dhe jetike për të ardhmen, tekniku gjirokastrit i Tomorit Bledar Devolli u ka komunikuar futbollistëve dy ditë pushimi, të cilat janë komentuar pozitivisht nga ana e futbollistëve beratas, që do të kenë rastin dhe kohën e nevojshme për një relaks të plotë, përpara se të nisin nga puna për ndeshjen e radhës në transfertë ndaj skuadrës fqinje të Lushnjës pas dy javëve.
“Mendoj se e kemi merituar këtë pushim dy-ditor pas fitores me Elbasanin, dhe se duke qenë sa më të freskët fizikisht dhe pse jo mendërisht, unë dhe kolegët e mi besojmë se do të jemi plotësisht të gatshëm për t’u përgatitur sa më mirë të jetë e mundur për ndeshjen e radhës në Lushnjë”, është shprehur mesfushori i spikatur vendas Genaldi Sharavolli.
KLUBI PREMTON – Sakaq është mësuar se nga ana e klubit dhe presidencës së Tomorit për teknikun Devolli ka ardhur një sinjal i fortë mbështetje, teksa i është premtuar një garanci dhe mbështetje e fortë financiare për merkaton e janarit.
Pritet që krahas disa largimeve të vijnë në Berat edhe pesë futbollistë cilësor, të cilët do të jenë padyshim edhe të përzgjedhurit e teknikut Devolli që vlerësohet maksimalisht për punën që kryen në skuadrën e Tomorit.
Edi Spahiu