Pavarësisht se futbolli dhe jeta siç ne e njohim është ndalur, Kukësi vijon punimet për stadiumin e ri. Me staf më të reduktuar dhe në respektim të masave të punës të ndërmarra nga qeveria, klubi verilindor po ecën me ritmet e duhura për të pasur gati shtëpinë e tij të re. Ditën e sotme edhe vetë presidenti i Kukësit ka qenë i pranishëm në sheshin e punës të stadiumit për të mbikëqyrur punën e bërë deri më tani.
Në një takim me stafin e punonjësve, Gjici ka vëzhguar nga afër punimet, për të cilat është shprehur edhe i kënaqur në fund. Gjithashtu u kërkon që të vazhdojnë të ecin me ritme të shpejta për të mbyllur pjesët e mbetura që duhen plotësuar, ndërsa bën me dije se stadiumi duhet të jetë i mbyllur në muajin gusht. Një konfirmim e ka marrë edhe nga stafi i punës, teksa në rastin e lirimit të masave nga qeveria për të shtuar edhe më tepër punonjësit, Kukësi do të luajë në shtëpinë e tij të re në sezonin e ardhshëm./Halit Delibashi-Sport Ekspres/