Gentian Selmani ka debutuar me Laçin në një finale. 22 gusht 2015, finalja e Superkupës, Laçi-Skënderbeu. Kishte vetëm një apo dy ditë në stërvitje me bardhezinjtë dhe një tërheqje që pësoi në stërvitje Miroslav Vujadinoviç bëri që porta t’i besohej të riut. Ishte ende adoleshent, por e kishte të qartë rrugën që kish zgjedhur. Këtë e shihje në seancat stërvitore, ku impenjimi i tij ishte në nivelet maksimale. Atë natë festoi gjatë, pasi ia doli të priste penalltinë e Bruno Lulajt dhe Mikelanxho Bardhi më pas shënoi penalltinë e triumfit. Laçi fitoi për herë të parë Superkupën e Shqipërisë, ndërkohë që testi i parë i Selmanit u kalua me sukses. Ky është sezoni i tretë i Selmanit, që tashmë është kthyer në një garanci për kurbinasit. Gjithashtu mbron edhe portën e Shqipërisë U21, ku është një nga liderët e skuadrës. Shumëkush mund të mos ketë pasur mosbesim, Selmani e di këtë, por me punë dhe me paraqitjet e tij i ka bindur të gjithë. Përfshirja disa herë në formacionin e javës në Superiore është një tregues i paraqitjeve të tij. Edhe në ndeshjen e fundit me Luftëtarin ai tregoi nga klasi i tij, duke mbajtur në lojë Laçin, që në fund barazoi. Shënoi Gjoni, një nga shokët më të ngushtë të portierit 19-vjeçar. Festa ishte e ligjshme dhe Selmani e la portën për pak çaste, për të dhuruar në fund të shtesave edhe një tjetër pritje dhe në fund iu gëzua pikës së marrë në transfertë. Një element që nuk duhet lënë mënjanë: Portieri mbante shiritin e kapitenit sërish, një shenjë besimi ndaj tij dhe një motiv më shumë për të qenë lider.
OFERTAT DHE ËNDRRAT
Sezoni i kaluar ishte i vështirë për Laçin, pasi rrezikoi rënien nga Superiorja. Në verë pati ndryshime, ndërkohë që edhe për Selmanin pati oferta nga Superiorja. Skënderbeu ishte një nga klubet që shfaqi interesimin e tij, por për portierin e rëndësishme është të luajë. Në Laç është në shtëpi dhe e sheh si “trampolinën” e tij. Si çdo futbollist ëndërron. Dëshira e madhe e “gardianit” kurbinas është që të transferohet në një kampionat më të fortë. Gjermania është dëshira dhe mund të realizohet: Selmani është nga ato që punon gjithë kohën dhe është me “këmbë në tokë”. “CV” e tij tashmë ka të dhëna interesante, pasi numëron disa ndeshje me Shqipërinë U21 dhe mbi 60 ndeshje në Superiore, kur ende nuk i ka mbushur 20 vjeç. “Shënjestra” tjetër është Kombëtarja e madhe…