Migen Memelli do të jetë trajneri i dytë fitues i kampionatit shqiptar pas atij që do të shpallet kampion, në mos të themi se do të kenë të njëjtën vlerë. Kjo pasi ky teknik mbërriti te Skënderbeu në një moment që korçarët u quajtën “të mbaruar” dhe pa asnjë shpresë qëndrimi në elitë. Historia ka ndryshuar tërësisht tashmë dhe me “shkopin magjik” Memelli arriti të transformonte ekipin që duket se do të shpëtojë edhe këtë sezon. Në intervistën e dhënë për “Sport Magazine” me gazetarin Altin Sulce, Memelli ka folur për gjithçka.
“Ne donim të provonim shanset tona dhe të mos dorëzoheshim. Kishim individ me cilësi të mëdha. Që ditën e parë që u nisa nga Tirana, të gjithë më thonin pse po shkon. E falënderoj presidentin e klubit që më dha besim. Se nëse nuk na japin besim ne si trajner, nuk mund të shpalosim vlerat tona. Por sigurisht që falë lojtarëve kemi arritur këto rezultate. E ardhmja? Dëshira ime është që të vazhdoj kështu, po presidentëve nuk i dihet se ndonjëherë të shtrëngojnë duart. Sulmuesit i mbajmë përpara porte në stërvitje, punojmë edhe me mbrojtjen dhe gjithë skuadrën në tërësi”, u shpreh Memelli. /Sport Ekspres/