Prova e pa kaluar! Futbolli nuk është një shkencë ekzakte, e tregoi edhe Rei Manaj te Shqipëria

Rei Manaj mbërriti te Shqipëria me stofin e një lojtari të rëndësishëm, thuajse njësoj si erdhi në grumbullim disa kohë më parë, kur stërvitej me ekipin e parë të Barcelonës. Menjëherë në stërvitjen e parë me Kombëtaren, Manaj shënoi me rroveshatë duke shkaktuar entuziazëm të madh te stafi kuqezi.

Megjithatë në fushën e blertë, është një tjetër histori. Ashtu edhe këtë herë, ku Manaj mbërriti si lojtari më në formë dhe më me shumë gola të shënuara nga legjionarët. Por futbolli nuk është një shkencë ekzakte.

Nëse shënon shumë gola në ekipin tënd, kjo nuk do të thotë se mund të jesh i dobishëm për Kombëtaren. Nga ana tjetër është një lojtar si Armando Broja që për disa arsye ka zero minuta dhe zero gola te Fulham, por është me një rëndësi jetike për Shqipërinë.

Në përfundim të dy ndeshjeve miqësore mund të thuhet se prova e Rei Manajt është e pa kaluar në luftën për një ftesë në Europian. Sigurisht që ajo ndeshje me Kilin nuk ishte treguesi më i mirë për një sulmues, por një lojtar spikat me një driblim, me një lëvizje, jo me patjetër me një gol të shënuar.

E parë në këtë prizëm, Manaj nuk ofroi asgjë të veçantë në sulmin e Shqipërisë dhe nuk i përligji të gjithë ato golat e shënuara në Turqi. Në ndeshjen kundër Suedisë nuk u aktivizua për asnjë minutë. Në total, duket se kuotat e Manajt kanë rënë sërish te Shqipëria dhe përfshirja e tij në listë para lojtarëve si Mirlind Daku, është shumë e vështirë për të mos thënë e pamundur. /Sport Ekspres/