Nga një skuadër yjesh, e cila titullin kampion të Shqipërisë e fitoi shtatë herë në 8 vitet e fundit, duke marrë pjesë edhe dy herë në fazën e grupeve të Europa League, në një ekip që duhet të konfirmohet në nivele të larta. Ndryshimet te Skënderbeu kanë qenë të mëdha.
Dënimi i UEFA-s dhe pritja e vendimit nga Gjykata e Arbitrazhit Sportiv në Lozanë, largimet e shumë yjeve dhe nisja e një projekti të ri, ku grupi i lojtarëve është ndërthurur mes ekspertëve dhe të rinjve të talentuar.
Kjo ka bërë që edhe vlera e korçarëve në merkato të pësojë miliona euro rënie. Mjafton të kujtosh që në shkurt të 2018-ës, vlera e Skënderbeut në merkato përllogaritej në 8,1 milionë euro. Skuadra sapo kishte mbyllur aventurën ndërkombëtare dhe lojtarët kryesorë ishin në vlerat maksimale të tregut.
Në distancën e gjashtë muajve, situata ka ndryshuar. Dënimi i Jashanicës që nuk mund të llogaritet si pjesë e ekipit për edicionin e ri, largimet e Gavazajt, Lilajt, Soue, Xhejms apo Sahitit kanë ndikuar në rënien e vlerës së skuadrës.
Deri në mesin e korrikut, vlera e kampionëve të Shqipërisë përllogaritet në 5,3 milionë euro, ose e thënë ndryshe 2,8 milionë euro më pak. Pa pjesëmarrjen në arenën ndërkombëtare, kostot te Skënderbeu, janë ulur në mënyrë të dukshme.
Një faktor që ndikoi në mënyrë të drejtë për drejtë edhe në çmimin e skuadrës në treg. Megjithatë, talenti në radhët e korçarëve nuk mungon dhe pretendimet e klubit mbeten të mëdha edhe në sezonin e ri.