Ergys Luga ka bërë për “Sport Ekspres” edhe analizën taktike sa i përket ndeshjes së humbur të Shqipërisë ndaj Izraelit. Trajneri shqiptar ka shpjeguar arsyen se përse erdhi kjo humbje në bazë të mënyrës sesi u interpretua takimi nga dy trajnerët dhe vetë lojtarët që ishin protagonistë në fushën e blertë. Përfundimi rezultoi se Shqipëria ka probleme të mëdha me shënimin e golit, ndërsa për Armando Brojën cilësohej si lëvizje më e mirë kalimi në Serinë A.
“Pavarësisht mungesave, ishte një ndeshje ku Shqipëria e kishte detyrim fitoren për nga cilësia e lojtarëve që ka, ndërsa për Izraelin do të ishte sukses, ashtu siç doli në fund. U futëm në ndeshje me sistemin 4-3-2-1, jo me ndonjë mbështetje të madhe nga krahët, për vetë faktin se mungoj gjerësia dhe shtyrja përpara nga Balliu apo Hysaj. Shqipëria u mundua të gjej topat e dytë duke shfrytëzuar thellësinë me gjatësinë e Cikalleshit dhe Brojës, por ishte e vakët në raste dhe e përgatitur për të bërë më mirë në pjesën e dytë. Në pjesën e parë u pa një ndërtim loje nga poshtë shumë e ngadaltë, ku kishte lojtarë që ishin të mbi pozicionuar dhe jo shumë të përshtatshëm për të nisur tranzicionet e Kombëtares. Duhej të kishte më tepër pragmatizëm nga ana e lojtarëve tanë.
Pjesa e dytë nisi keq me një gabim nga krahu i majtë i joni dhe nga i djathti i Izraelit, ku ishte totalisht e lexueshme që Izraeli do të sulmonte nga aty. Gabimi individual i Hysajt. Shqipëria rikthehet me pesë në prapavijë ku Gjasula u kthye në tip “libero” i ndihmuar gjeometrikisht nga Asllani. Mbronte thellë dhe ndihmonte mesfushën kur kishim zotërimin e topit. Izraeli zgjodhi vonesat e lojës, por në përgjithësi jo ndonjë lojë për t’u duartrokitur. Shqipëria barazoi me kryeveprën e Uzunit pas një topi inaktiv, por kjo nuk ishte e mjaftueshme. Nga euforia për të marrë tre pikëshin, ndëshkohemi nga një tjetër gabim individual. Në idenë time, duhej të bënim më mirë në marrjen e masave kundër manovrës së Izraelit.
Ndoshta sistemi 4-4-2 mund të ishte një ide, në momentet kur Izraeli sulmonte me mbrojtësat, mund të kishim patur më shumë shanse për të penetruar në linjat anësore të rivalit. Është e vështirë për Hysajn dhe Balliun të bëjnë të vetëm penetrimet në krahë. Shqipëria ka lojtarë që janë shumë herë më të mirë se Izraeli. Problemi ynë mbetet gjithmonë finalizimi i golit. Të them të drejtën ishte oferta më profesionale që u dha për Brojën të shkonte te Napoli ose Udineze në Serinë A pasi Italia gjenetikisht ka shërbyer gjithmonë si ndihmesë për sulmuesit e rinj që të avancojnë në karrierë”, tha Luga. /Sport Ekspres/