Skuadra e Kukësit nuk ka shkëlqyer në lojë në dy ndeshjet e Champions Leagues, pavarësisht kualifikimit kundër Valetës dhe barazimit me Karabakun. Ekipi verilindor është një skuadër kompakte, pasi mbrohet mirë dhe mbrapa është bllok, por ka një problem.
Nuk kanë një sulm të frikshëm. Krahët e sulmit nuk kanë dalë ende aty ku duhet, me Çyrbjen që nuk po arrin të ngrihet në nivelin e pritur dhe Uilliam e improvizuar në krahun e majtë. Në sulm, Plaku është i izoluar dhe nuk e ka freskinë e Gurit. Mosha bën të veten, pasi po flasim për nivele të larta.
Në kushte të tilla, drejtori sportiv Nderim Nexhipi po kërkon me ngulm një sulmues goli. Ai kërkon të përforcojë ekipin e tij dhe në këtë pikë. E ardhmja e Plakut mbetet ende e paqartë, nëse do të kthehet te Kamza, apo do të vazhdojë edhe pas Champions Leagues me Kukësin.