Probleme me 4 afrikanët e Skënderbeut, në kryeqytet për vizën

Xhejms, Nimaga, Demte dhe Soue dje kanë bërë “lëmsh” stërvitjen e Skënderbeut. Pritej të mbërrinin para seancës, pasi të merrnin vizën, por nuk arritën në kohë

Leonard Trebicka

Katër futbollistët afrikanë të Skënderbeu, Xhejms Adeni, Bakari Nimaga, Ali Soue dhe Beniam Demte, kanë bërë “lëmsh” dje stërvitjen e Skënderbeut, madje në fund nuk kanë mundur të stërviten me grupin. Problemi i tyre lidhej me vizën shenjen që  duhej të merrnin në kryeqytet, në Ambasadën Zvicerane. Nga kjo ambasadë ka ardhur njoftimi se 4 afrikanët e Skënderbeut duhej të ishin prezentë për të tërhequr vizën shengen. Gjithçka ka të bëjë me ndeshjen e javës së ardhshme në Zvicër, ku Skënderbeu mbyll fazën e grupeve me përballjen me Jang Bojs. Dhe të katër këta futbollistë janë përfshirë nga trajneri Ilir Daja në listën e kësaj transferte te fundit europiane. Në fakt, procedura e marrjes së vizës ka ditë që është kryer nga klubi “Skënderbeu” në këtë ambasadë, por dje Xhejms, Soue, Nimaga dhe Demte ishin të detyruar të shkonin në kryeqytet për t’u paraqitur në ambasadë. Të shoqëruar nga përfaqësues të klubit bardhekuq, këta lojtarë, pas disa orësh pritje, kanë arritur ta sigurojnë vizën dhe pasdite janë kthyer në qytetin juglindor. Trajneri Daja në fillim mendoi që skuadra ta fillonte stërvitjen në orën 11:00, kur temperaturat janë më të përshtatshme, por, duke pasur parasysh mungesën e këtyre 4 lojtarëve, ai preferoi që ta shtynte seancën për në orën 15:00. Në këtë orë mendohej se ata mund të ishin prezentë në ambientet e stadiumit. Trajneri dhe lojtarët e tjerë kanë pritur orën 15:00, që edhe Xhejms, Demte, Nimaga dhe Soue të stërviteshin me ta, por afrikanët nuk janë dukur gjëkundi. Ata janë kthyer disa orë pasi seanca stërvitore e djeshme kishte përfunduar. E rëndësishme është që të katër lojtarët siguruan vizën shengen dhe të enjten e ardhshme do të udhëtojnë drejt Zvicrës, por kjo çështje ka sjellë jo pak rrëmujë në lidhje me stërvitjen e djeshme. Sot grupi do të jetë i plotë.

VIZAT – Për lojtarët e huaj të kampionatit shqiptar, gjithmonë vizat kanë sjellë probleme. Shpesh Skënderbeu (që ka luajtur rregullisht në Europë) ka pasur probleme më afrikanët, ku rasti i fundit është ai i Xhejmsit, i cili pati probleme për të udhëtuar drejt Kazakistanit, ku shkoi ditën e ndeshjes, pasi iu dha viza në momentet e fundit. Këtë herë Ambasada e Zvicrës është treguar me tolerante dhe ka dhënë vizat shengen për 4 futbollistët afrikanë, viza që janë vetëm me një kalim, prandaj edhe të huajt kanë gjithmonë probleme me lëvizjet në zonën shengen. Gjithsesi, këtë herë gjithçka është zgjidhur përpara kohe.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *