“Pritet vetëm zyrtarizimi”! Gazetari jep lajmin e bujshëm: Sokol Cikalleshi do të vijë te Flamurtari, arrihet marrëveshja

Gazetari sportiv Fatjon Baze ishte i ftuar në emisionin “Kubi Sportiv”, që transmetohet në Euronews Albania, nën moderimin e Drilon Xhepollarit, ku u analizuan rezultatet e javës së 18-të të Kategorisë Superiore.

Gjatë diskutimit, Baze u ndal fillimisht te situata e Partizanit, duke theksuar se pavarësisht dy humbjeve të fundit ndaj Egnatias dhe Dinamos, të kuqtë vijojnë të kenë potencialin dhe kualitetin e nevojshëm për të arritur objektivin e sezonit, “Final 4”.

“Në këndvështrimin tim, pavarësisht humbjeve me dy ekipet më të forta të Superiores, Egnatian dhe Dinamon, Partizani i ka ende të gjitha mundësitë për të kapur ‘Final 4’. Bëhet fjalë për një skuadër me organikë cilësore, e cila pas një starti negativ është ringritur dhe është sërish në garë,” – u shpreh Baze.

Ai shtoi se humbja e fundit në ‘Arenën e Demave’ ishte e pamerituar, duke nënvizuar se me konkretizim më të mirë para porte, Partizani mund të kishte marrë më shumë nga ajo përballje, ndonëse Dinamo, sipas tij, nuk “vodhi” asgjë nga ndeshja.

Në vijim, gazetari sportiv vlerësoi maksimalisht edhe ekipin e Vorës, të cilin e cilësoi si një shembull për t’u ndjekur në këtë sezon.

“Vora meriton të gjitha elozhet. Është një ekip që vjen nga Kategoria e Parë, ka ruajtur boshtin e skuadrës dhe trajnerin, dhe sot jo vetëm që ka justifikuar besimin e drejtuesve, por ndodhet në pozita komode. Besoj se do të jetë pjesë e Superiores edhe sezonin e ardhshëm, pavarësisht faktit se deri tani nuk ka zhvilluar asnjë ndeshje në fushën e vet,” – theksoi Baze.

Baze u ndal gjithashtu te lajmi i afrimit të Sokol Cikalleshit te Flamurtari, duke konfirmuar se palët kanë arritur marrëveshjen dhe se pritet vetëm zyrtarizimi.

Sipas tij, rikthimi i Cikalleshit në Superiore do të ishte një vlerë e shtuar për futbollin shqiptar.

Në fund, gazetari komentoi edhe paraqitjet e shkëlqyera të Ernest Muçit dhe rikthimin te goli të Armando Brojës me fanellën e Burnleyt.

“Goli i Brojës nuk e çliroi vetëm lojtarin, por të gjithë ne që e prisnim prej kohësh këtë moment. Erdhi në kohën e duhur, në një moment kur trajneri po i jepte besim dhe ai e shpërbleu. Shpresojmë shumë që të vijojë në këtë formë dhe të rikthehet Broja i dikurshëm,” – u shpreh Baze.