Të tjera telashe për disa nga klubet shqiptare. Presidenti i skuadrës së Prishtinës, Remzi Ejupi, ka paralajmëruar sot se do të përballet me disa nga klubet shqiptare në gjykatën ndërkombëtare të Lozanës. Numri një i klubit kryeqytetas ka deklaruar në një prononcim për gazetën “Zëri” se i ka paditur disa nga klubet shqiptare për papërgjegjshmëri në tregun e transferimeve të futbollistëve.
Kanë mbetur të indinjuar drejtuesit e klubit kosovar nga skuadrat shqiptare që kanë marrë futbollistë nga ekipi i tyre dhe më pas i kanë shitur për shifra të larta në Europë, pa i falënderuar as me ndonjë shifër simbolike. Edhe pse Ejupi nuk përmend emra, menodhet se bëhet fjalë për skuadrën e Skënderbeut gjithnjë sipas “Zërit”, e cila ka marrë nga Prishtina Agim Zekën dhe Liridon Latifin dhe më pas i ka shitur jashtë vendit.
Prishtina minimalisht pretendon se në arkat e tyre duhej të kishte shkuar një shumë qoftë dhe simbolike, pasi lojtarët janë formuar tek klubi i tyre. Skuadra kosovare do të kërkojë të drejtën e saj për 5% të shumës së shitjeve për lojtarët që i ka rritur vetë.
“I kemi paditur klubet e papërgjegjshme të cilat i kanë marrë tre-katër lojtarë dhe asnjëherë nuk janë paraqitur në klubin amë, në FC Prishtinë. Paditë kanë të bëjnë ndaj klubeve të Shqipërisë. Besoj se do ta fitojmë të drejtën tonë për disa lojtarë që na u patën rrëmbyer”.
“Klubet e shteteve tjera i kanë kryer obligimet ndaj nesh dhe nuk kemi pasur probleme me to. Ato e kanë respektuar mundin e FC Prishtinës rreth edukimit dhe zhvillimit të futbollistëve që i kanë marrë. Kurse klubet nga Shqipëria kanë pasur sjellje dëshpëruese dhe na kanë detyruar të ndërmarrim masa juridike dhe ligjore”.
“Klubet nga Shqipëria kanë përfituar para të majme ndërsa asnjë falënderim nuk ia kanë shprehur FC Prishtinës e lëre më diçka më shumë”.