Të martën u bë zyrtare, ndërsa sot Raxha Naingolan është prezantuar si futbollist i Interit, duke marrë fanellën me numër 14 dhe duke folur në konferencën e tij të parë për shtyp si zikaltër.
E TASHMJA DHE E ARDHMJA – “Falënderoj të gjithë, jam i lumtur që jam tek Interi dhe shpresoj të fitoj sa më shpejt, sepse nuk kam fituar asgjë në karrierë. Gjej Spaletin, por nuk ishte ai që më bindi të zgjidhja Interin, sepse u ndjeva i rëndësishëm sapo më kërkuan. Më kanë kërkuar edhe më parë, por nuk ka qenë e mundur të vishja fanellën zikaltër. Për Romën nuk flas, tani shoh nga e tashmja dhe e ardhmja”.
IKARDI SI XHEKO? – “Janë dy sulmues të ndryshëm, Mauro jeton më shumë për golin dhe në zonën e rreptësisë, Edin punon më shumë për skuadrën. Janë dy sulmues të mëdhenj, jam ndjerë mirë me Xhekon dhe shpresoj të ndihem mirë me Ikardin. Kam folur me të, i kam thënë që jam shumë i karikuar dhe ai më tha që ndihet njësoj. Por më ka pëlqyer gjithnjë edhe Perishiç”.
INTERI KËRKON EDHE DEMBELE NGA BELGJIKA – “Nuk e kam stresuar për merkaton, sepse po luan Botërorin, por mund të them që është një lojtar i shkëlqyer dhe një mik i mirë. Pjesën tjetër e vendos trajneri, do luaj aty ku ai mendon se jap më të mirën. Luaj si mesfushor qendror, ashtu si edhe pas sulmuesve. Me Di Françeskon luaja më i tërhequr, me Spaletin kam luajtur më shumë në zonën kundërshtare”.
JUVENTUSI SUPERIOR – “Dihet që Juventusi fiton prej shumë vitesh dhe përforcohet. Është një rrugë e gjatë, por shumë skuadra po lëvizin mirë në treg. Duhet shpresuar që Juventusi të gabojë sezon dhe të fitojë dikush tjetër”.