River Plejt ia doli të fitonte Kupën Libertadores për herë të katërt në historinë e saj. Një festë ndryshe nga herët e tjera, pasi u arrit përballë Boka Zhuniors, “armiqve” të urryer.
Betejat mes dy ekipeve nga Buenos Aires u shijuan në maksimum nga miliona tifozë të futbollit dhe dukej sikur nuk do të përfundonin kurrë, por Riveri ia doli të fitonte me rezultatin 3-1 finalen e dytë (e para përfundoi në barazim 2-2) dhe dërgoi tifozët në delir.
Rodolfo D’Onofrio, presidenti i klubit, ka treguar emocionet e papërshkrueshme, ndërsa nuk e harron akoma faktin që Riveri i tij nuk luajti në mitikun “Monumental”. Sulmi i tifozëve ndaj autobusit të lojtarëve të Bokës rezultoi fatal dhe derbi më i çmendur në botë përfundoi në “Santiago Bernabeu” të Madridit.
Kampionët në fuqi të Amerikës së Jugut nuk kanë kohë për të pushuar, pasi në prag është Botërori për klube. 71-vjeçari zbulon objektivat e tij, si dhe tregon situatën për dy nga lojtarët e ekipit.
STADIUMI – “Ishte e tmerrshme të luanim finalen në Europë. Bokës iu lejua të luante në stadiumin e saj, ndërsa neve jo. Ishte një vendim i marrë për shkak të masave jo të përshtatshme të sigurisë.”
FITORJA – “Të fitosh finalen përballë rivalëve është e jashtëzakonshme dhe mbetet në histori. Është pak a shumë si një finale Champions-i midis Milanit dhe Interit: një emocion unik.”
BOTËRORI PËR KLUBE – “Për momentin ndodhem në Dubai. Të martën do të zbresim në fushë për gjysmëfinalen e kompeticionit. Jemi të përqendruar te kjo ndeshje dhe duam të dalim në finale, ku me shumë mundësi do të ndesheshim me Realin e Madridit.”
MERKATO – “El Piti Martinez do të shkojë në MLS (kampionati amerikan i futbollit) në fund të Botërorit për klube, pasi kemi një akord me Atlantën. Kuintero nuk do të lëvizë. Sapo kemi ushtruar të drejtën e blerjes dhe do të qëndrojë me ne.”