Federata Shqiptare e Futbollit prej kohësh i bën thirrje qeverisë të rinisë edhe një herë sportin, ndërsa ka dorëzuar në tryezën e tyre edhe protokollin që klubet do të zbatojnë me përpikmëri përgjatë pjesës së mbetur të sezonit. Një përgjigje zyrtare nga institucionet e shteti shqiptar nuk ka ardhur, teksa futbolli mbetet ende pa një datë, pavarësisht këmbënguljes nga ana e FSHF-së. Ndërkohë ditën e sotme kreu i shtëpisë së futbollit shqiptar, Armand Duka, ka organizuar një takim me Presidentin e Republikës, Ilir Metën.
Gjatë këtij takimi Duka e ka njohur këtë të fundit me protokollin sanitar, i cili është përgatitur sipas udhëzimeve të UEFA-s dhe për krijimin e tij ka marrë pjesë ekipi mjekësor i FSHF-së. Meta i jep një mesazh të qartë qeverisë Rama për të ndjekur të njëjtën rrugë si vendet europiane dhe t’i japër sërish frymë sportit. Madje sipas tij ky i fundit është edhe vaksina më e mirë për shëndetin e njerëzve./Halit Delibashi-Sport Ekpres/