Presidenti Duka uron Ditën e Flamurit nga Vlora: Sa bukur t’i rrisim fëmijët me ndjenja patriotike!

0

Me rastin e Ditës së Flamurit këtë herë Presidenti Duka dhe përfaqësues të FSHF-së kishin zgjedhur për të festuar me fëmijët e Kopshtit nr. 5 të qyteti të Vlorës. Një ditë e veçantë me fëmijët dhe edukatoret e kopshtit që kishin përgatitur një program festiv dhe një ekspozitë me punimet e tyre artistike vërtetë të veçanta, duke u bazuar pikërisht simbolet tona kombëtare.

Në këtë festë speciale për këtë ditë të shënuar përveç Presidentit të FSHF-së, Armand Duka, morën pjesë edhe Kryetari i Bashkisë Vlorë, Dritan Leli, anëtarja e Komitetit Ekzekutiv të FSHF, Anila Basha, presidenti i Flamurtarit, Sinan Idrizi, ish-futbollisti i njohur i Flamurtarit dhe i Kombëtares, Kreshnik Çipi, etj.

Pasi vizitoi ekspozitën e përgatitur nga fëmijët e vegjël dhe ndoqi programin artistik me këngë, recitime e valle patriotike, Presidenti Duka u shpërndau fëmijëve edhe disa dhurata simbolike, një mesazh domethënës për shoqërinë që tregon se FSHF do të vazhdojë të mbështesë pa kushte fëmijët siç ka bërë edhe së fundmi me projektin madhor Uniforma Ime, duke u ofruar falas të gjithë fëmijëve të Shqipërisë që luajnë futboll uniforma dhe bazë materiale.

Me këtë rast Presidenti Duka uroi të gjithë shqiptarët gëzuar Festën e Flamurit dhe e cilësoi si mjaft të rëndësishme rritjen e fëmijëve të Shqipërisë me ndjenjat patriotike, pasi kjo do t’i ndihmonte edhe për të përfaqësuar edhe më mirë vendin në arenën ndërkombëtare përmes futbollit.

“Është shumë bukur të jemi sot në një nga kopshtet e qytetit të Vlorës për të uruar Festën e Flamurit, në qytetin ku u shpall Pavarësia e Shqipërisë dhe Ismail Qemali ngriti flamurin. Jemi në një ditë përkujtimore dhe falënderuese për ata që e bënë të mundur që Shqipëria të shpallë pavarësinë dhe jemi gjithashtu për një mesazh tjetër sportiv, nëpërmjet dhuratave simbolike që bëmë për fëmijët e kopshtit, simbolizojnë edhe projektin Uniforma Ime me FSHF-në që ka dhuruar uniforma për të gjithë futbollin në Shqipëri dhe do të vazhdojmë ta bëjmë këtë që fëmijët të bëhen sa më të shëndetshëm përmes futbollit, të rriten mirë dhe mbase të bëhen edhe futbollistë profesionistë dhe t’i shërbejnë ekipeve kombëtare në të ardhmen”, tha Presidenti Duka, duke shtuar: – “Padyshim, që ndjenjat patriotike dhe kombëtare janë shumë të rëndësishme për të përfaqësuar Shqipërinë nëpërmjet futbollit dhe ajo çka futbolli i jep, qoftë në nivelin përfaqësues vendit është shumë e rëndësishme. Këtë e kemi provuar me pjesëmarrjen e Shqipërisë në Euro 2016, që uroj të përsëritet sërish, ku janë valëvitur flamuj shqiptarë në qytete të ndryshme të Francës, besoj më shumë se sa në gjithë historinë e tij. Pra kjo tregon se sa e rëndësishme është ekipi kombëtar, jo vetëm për sport, por edhe për të përfaqësuar Shqipërinë dhe kulturën e saj nëpërmjet futbollit. Edhe një herë u uroj gëzuar festën e Flamurit, për fëmijët e kopshtit këtu, për fëmijët e të gjithë Shqipërisë, për qytetarët e Vlorës dhe për të gjithë shqiptarët kudo që ndodhen, brenda dhe jashtë vendit”.

Ndërsa Presidenti i Flamurtarit, Sinan Idrizi, në urimin e tij e vuri theksin te projekti Uniforma Ime të FSHF-së si një simbolikë të rëndësishme, teksa vlerësoi mbështetjen e madhe që Federata e Futbollit dhe Presidenti Duka po u japin fëmijëve dhe futbollit.

“Në një ditë të veçantë projekti Uniforma Ime në Vlorë është më tepër se një urim për qytetin dhe për të gjithë ne të tjerët bashkë. Gëzuar ditën e Flamurit dhe mbi të gjitha një falënderim për Federatën Shqiptare të Futbollit, Presidentin Duka për këtë simbolikë kaq të thjeshtë në dukje, por në thelb shumë të rëndësishme. Pra çdo gjë nis nga fëmijët dhe kjo dhuratë e thjeshtë që sot duket si një fanellë dhe një top, që në fakt nuk është e tillë, është një simbolikë për një udhëtim të gjatë. Një falënderim në emër të të gjithëve”, tha Idrizi.

Një falënderim erdhi edhe nga Kryetari i Bashkisë Vlorë, Dritan Leli, i cili përshëndetë fëmijët dhe u uroi atyre gëzuar Ditën e Flamurit. “Fëmijët e Kopshtit nr. 5 të Vlorë i nisën të parët festimet e Nëntorit. Askush më mirë se ta nuk mund ta zbukurojë flamurin, prandaj i zgjodhi Presidenti i Federatës së Futbollit, Armand Duka, t’u shtonte gëzimin me dhuratat që u solli. Një falënderim për FSHF-në dhe Presidentin Duka që na u bashkuan në këto ditë festë në Vlorë”, – tha ndër të tjera kryebashkiaku Leli.

You might also like
Leave A Reply

Your email address will not be published.