Prenga: Mund të jetë mirupafshim dhe jo lamtumirë, Uzunin e dua në Kroaci

Trajneri  Besnik Prenga ka folur për herë të fundit si trajner i Laçit. Vetë tekniku ka theksuar se është fundi i aventurës së tij tek bardhezinjtë, por në të njëjtën kohë nuk ka lënë jashtë vëmendjes dhe mundësinë e transferimit të Uzunit në Kroaci.

NDESHJA E FUNDIT ME LAÇIN  – “Nuk kam asnjë peng. I uroj Moldes kualifikimin, në raundin tjetër kaloi një ekip serioz dhe me mjaft kualitet. Ne dhamë më të mirën tonë dhe unë jam i kënaqur me paraqitjen e djemve të mi në këto katër ndeshje. Ndoshta sot e vlerësuam më shumë se duhet. Jam munduar ta karikoj ekipin gjatë gjithë javës. Kam kërkuar që në 20 minutat e para të ishim agresiv dhe loja të na sillte një gol që të na jepte më tepër energji. Në momentin tonë më të mirë ne morëm sërish një 11-metërsh, që është e treta që jepet me rezultatin 0-0. Pas atij momenti gjithçka mori fund dhe lojtarët u shuan.  Nuk më ngel peng asgjë, lojtarët dhan maksimumin. Ndeshjen kryesore me Anorthosis ne arritëm të merrnim sukses dhe tani nuk më mbetet asgjë veç se ti uroj Laçit dhe tifozerisë shumë suksese. Kam kaluar 2 muaj fantastike këtu dhe kam raporte shumë të mira me tifozerinë, presidentin, stafin dhe lojtarët. Do dëshiroja që pasuesi im të ketë të njëjtat marrëdhënie dhe të ketë mundësi që të vijojë punën ku po e lë unë. E pret një ekip me sedër, me ego dhe me cilësi. Laçi do të jetë forcë kryesore e kampionatit shqiptar me pak ndërhyrje”.

FUNDI I KONTRATËS – “Unë kisha ardhur vetëm për turin e parë, por më pas me presidentin, Pashk Laska, vendosa që të jetoj dhe dy javë me Laçin dhe të jepja më të mirën time. E kisha për detyrim ndaj qytetit, ndaj presidentit Laska dhe besoj se kam dhënë më të mirën time. Jemi miq shumë të mirë dhe ky është një lagim, por mund të shihemi sërish në të ardhmen, nuk i dihet asnjëherë”.

E ARDHMJA – “Nuk i kemi mbyllur dyert njëri-tjetrit. Në të ardhmen nuk i dihet dhe shihemi sërish. Iki me përshtypjet më të mira për tifozerinë dhe lojtarët e drejtuesit”.

UZUNI DREJT KROACISË – “Uzuni është lojtar cilësor dhe mund të luajë në skuadra të mëdha. Do e doja me vete. Mund të jetë e domosdoshme për të që të kalojë në një kampionat tjetër me më shumë cilësi, pasi do të ishte një trampolinë për të, por dhe të forcohet dhe të marrë të tjera njohuri. Ai ka shumë aftësi dhe në Kroaci mund të ishte mirë për të. Do ishte mirë ta shihnim në të ardhmen”.

LOKOMOTIVA – “Kjo skuadër i ndjek lojtarët e rinj. Kam dhënë mendime dhe për të tjerë lojtarë të tjerë veç Uzunit. Mendimi im vlerësohet atje dhe jo vetëm Uzuni por dhe të tjerë lojtarë janë nën vëzhgimin e Lokomotivës. Dua që në Kroaci të kem sa më shumë shqiptar”.

EKSPERIENCA NË SHQIPËRI  – Jam i befasuar për mirë. E kam menduar ndryshe këtë aventurë, si nga kushtet dhe nga marrëdhëniet me pjesëtarët e stafit. Jam shumë i kënaqur dhe doja që edhe në të ardhmen të kaloj si këtu”.

KËSHILLA PËR TË RINJTË  – “Një këshillë për lojtarët që të punojnë sa më shumë dhe të mos kënaqen me pak. Duhet të kenë sa më shumë kërkesë ndaj vetes. Nëse nuk rritet kërkesa ndaj vetes nuk mund të bëhen lojtarë të mëdhenj”.

VLADIMIR PRENGA

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *