Premio për Luftëtarin, Tavo: Bojomit, 6 mijë euro borxh

Presidenti motivon skuadrën para Vllaznsë. Trajneri Lika: Edhe një pikë do na bënte punë

Luftëtari ka zhvilluar dje seancën e fundit stërvitore para nisjes për në Shkodër, ndërkohë që gjatë saj ka pasur edhe një problem. Nga një përplasje kokë më kokë midis Beqirit dhe Rapos, ky i fundit përfundoi në spital. Pas kontrolleve mjekësore doli se nuk ka asnjë dëmtim dhe kjo ktheu moralin tek shokët e tjerë të ekipit. Nuk do të ketë asnjë mungesë nga titullarët ndaj Vllaznisë dhe kjo i jep mundësinë stafit teknik të bëjë zgjedhjen e duhur për formacionin. Dilema ka për Rapon, Rapan, Beqirin, ndërsa tjetër e ekipit është gati.

PRESIDENTI TAVO

Në përfundim të stërvitjes, është zhvilluar një takim me numrin një të klubit gjirokastrite, presidentin Grigor Tavo. Më pas ai ka folur edhe për mediat, duke sqaruar gjithçka në lidhje me borxhin ndaj Bojom, ndërkohë që ka premtuar edhe premio për lojtarët e tij, që nuk duhet të heqin dorë nga Kupat e Europës, ndërkohë që zbulon se ka marrë edhe premtimin se do të gjykohet drejt deri në fund. “Me lojtarët zhvillova një takim miqësor. Kërkova mobilizim dhe përqendrim për ndeshjen me Vllazninë. Këtë do ta kërkoja ndaj çdo kundërshtari për çdo ndeshje, kjo për vetë situatën dhe objektivin aktual që kemi. Kemi bërë mirë gjithçka deri në këto javë dhe nuk duhet të heqim dorë nga pjesëmarrja në Kupat e Europës. Rrugën e kemi të hapur, pasi e shtruam vetë me punë dhe përkushtim, ndaj nuk duhet ta lëmë të na iki nga dora kjo mundësi që na jepet. Nga rezultati i kësaj ndeshjeje besoj se vendoset dhe fati i sezonit. Në rast fitoreje do të ketë edhe premio, por nuk është momenti ta deklaroj shumën. Nuk i kam asnjë borxh asnjë lojtari. Rrogat janë dhënë në rregull. Nga drejtuesit e Federatës kam marrë premtimin se s’do të kemi kurrfarë problemesh me gjykimin dhe do të ketë drejtësi në çdo ndeshje. Nuk mund të mos falënderoja para shokëve edhe Kristal Abazaj për transferimin e tij në Belgjikë. Për çështjen e mbrojtësit Bojom, që është përmendur në media se i mbetemi borxh 17 mijë euro, mund të them se nuk kam asnjë shkresë zyrtare lidhur me pretendimet e tij. Jam koshient se i kam dy paga mujore në shumën e gjashtë mijë eurove, të tjerat i di ai, unë jo. Kur të më paraqiten dokumentet zyrtare, atëherë do të shprehem”, përfundoi Tavo .

TRAJNERI LIKA

Si zakonisht, trajneri i Luftëtarit, Hasan Lika, ka folur për mediat para ndeshjes me Vllazninë. “Jo vetëm se luajmë ndaj Vllaznisë, ekip me histori në futbollin shqiptar, por nga fakti se të dyja ekipet duan fitoren, e bën takimin shumë interesant. Vllaznia vjen pas javëve pozitive e për më shumë është rritur në lojë krahasuar me pjesën e parë të kampionatit. Kërkojnë të shkëputen nga fundi i renditjes dhe pse jo të jenë pjesë e elitës në mbyllje të sezonit aktual. Ne kemi  objektivat tona dhe e kemi të domosdoshme fitoren, po aq sa edhe Vllaznia. Në fushë, si në çdo sfidë tjetër, hyjmë për rezultat pozitiv. Por edhe një pikë do të na bënte punë në rrugën e gjatë që kemi drejt Europës”, u shpreh trajneri Lika. Gëzim Beqiri

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *