Pregja përkrah bojkotin: As në vitin 1997 arbitrat nuk janë masakruar!

Këtë javë futbolli shqiptar është në pit-stop të detyruar, pasi arbitrat e të gjitha niveleve kanë shpallur bojkot total pas ngjarjes së nodhur javën e kaluar pas ndeshjes Kamza-Laçi. Këtë bojkot e quan të drejtë edhe ish-arbitri ndërkombëtar, Bujar Pregja. Për SportEkspres.com, ai deklaron se ngjarje të tilla nuk kanë ndodhur as në vitet e ndërrimit të sistemit politik në Shqipëri, as në vitin 1997 gjatë trazirave që përfshinë vendin tonë.

Për Pregjën, Kamza tregoi se në stadiumet shqiptare nuk ka asnjë lloj sigurie për jetën. Dhe këtu nuk bëhet fjalë vetëm për arbitrat. Sipas tij, ky bojkot duhet të mbetet edhe si një paralajmërim për vazhdimësinë. Në këtë bisedë, Bujar Pregja theksoi se çuditet nga fakti që forca të mëdha policie angazhohen në tubime e protesta, ndërsa stadiumet bojkotohen gjatë ndeshjeve ku ka mijëra tifozë!

INTERVISTOI: AGRON KAJA

Si ish-arbitër ndërkombëtar, e quani të drejtë bojkotin që arbitrat e futbollit i kanë bërë kampinateve për këtë javë?
-Patjetër që është një bojkot i drejtë, sepse nuk mund të kemi arbitrime në kushte dhune. Kamza tregoi se në stadiumet shqiptare nuk ka asnjë lloj sigurie për jetën. Dhe këtu nuk bëhet fjalë vetëm për arbitrat. Ky bojkot duhej bërë më parë, por mbetet një paralajmërim.

Keni arbitruar në kohë të vështira, në ndërrimin e sistemit politik në Shqipëri dhe në trazirat e vitit 1997. Ju ka ndodhur gjatë karrierës suaj një precedent i tillë si në Kamzë?
-Jo, jo, kjo situatë asnjëherë nuk më ka ndodhur, madje as në ato vite të mbrapshta për historinë e Shqipërisë. Në vitin 1992, kujtoj se në ndeshjen Vllaznia-Tirana, në minutën e 87-të, tifozët shkodranë u futën në fushë pas barazimit, por situata të tilla si në Kamzë nuk kishte.

Çfarë mendoni se duhet ndryshuar në këtë situatë, në raportin e marrëdhënieve arbitra-tifozë?
-Asgjë më shumë sa parashikon Rregullorja e futbollit, secili në pozicionin e tij. Tifozi duhet ta kuptojë se është në stadium për t’u argëtuar. Jo të vijnë si në ring boksi, sepse psikologjia e tyre duket e dobët. Ndërkohë, arbitrat duhet të jenë të përqendruar vetëm në zbatimin e rregullores.

Duhet një reflektim i strukturave shtetërore në përmirësimin e sigurisë në stadium?
-Mendoj se duhet ndryshuar ligji për vendosjen e Policisë së Shtetit në stadium. Çuditem se si forca të mëdha policie angazhohen në tubime e protesta, ndërsa stadiumet bojkotohen gjatë ndeshjeve ku ka mijëra tifozë. Është pa kuptim qëndrimi i policisë jashtë stadiumeve.

Pas këtij bojkoti, ka vend për reflektim edhe nga ana e arbitrave?
-Arbitrat vazhdimisht përgatiten për të përballuar edhe situata të tilla, si ajo në ndeshjen Kamza-Laçi. Ata nuk kanë qenë asnjëherë protagonistë për të tilla ngjarje, edhe pse duhet thënë se kanë gabuar, por ato kanë qenë njerëzore dhe jo të qëllimshme.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *