Trajneri i Venecias bëri që t’i dilte emri vetëm për të rritur presionin te drejtuesit dhe presidenti Takopina. Duka e “ngeli në klasë” menjëherë sapo u njoh me kërkesat ekonomike të çmendura
Dalin prapaskena të tjera në pah sa i përket kandidimit me publicitet dhe “mblesëri” nga Filipo Inzagi, për të marrë drejtimin e kombëtares së Shqipërisë. Edhe pse trajneri mohoi se kjo ka ndodhur, pasi do të vijonte të respektonte kontratën me Venecian, ashtu sikurse edhe presidenti Xho Takopina do ta komentonte lajmin me gjuhën e humorit dhe të tipit të “sallamit” që mungonte në Shqipëri, në mes ka një të vërtetë të madhe. SuperPipo vuri në punë shtypin dhe agjentin e tij për të biseduar me drejtuesit e federatës shqiptare të futbollit, pra me vetë kreun e saj, Armand Duka, teksa ndërkohë pushonte në Ibiza të Spanjës.
Dhe, sipas asaj që ka arritur të zbulojë “Sport Ekspres” nga burime të sigurta pranë federatës, kërkesa që ka ardhur nga ish-milanisti ishte vërtet për të vënë duart në kokë. Praktikisht, ai i kërkoi Dukës 1 milionë euro në total: praktikisht, 500 mijë euro rrogë personale dhe 500 mijë euro rrogë për stafin, që ishte i përbërë nga shtatë trajnerë.
Menjëherë, sapo ka dëgjuar këtë kërkesë të çmendur, Duka ka reaguar dhe ka mbyllur praktikisht këtë kapitull, duke e kuptuar se më shumë se sa interes për të drejtuar Shqipërinë, Inzagi ka pasur që t’i vendosë më shumë presion drejtuesve të Venecias. Sepse, rroga aktuale e tij te klubi në fjalë është vetëm 300 mijë euro dhe kështu që ai do të kërkonte thuajse dyfish duke ardhur te stoli kuqezi.