“Portieri ynë mbeti spektator në pjesën e dytë”! Trajneri i Kukësit: Fituam me 7 mungesa kundër Vllaznisë

Kjo duket se ishte java e befasisë në Superiore. Në ditën e djeshme ishte Teuta që fitoi kundër Partizanit dhe Skënderbeu që mori tre pikët kundër Egnatias. E teksa të gjithë prisnin që magjia e momentit, Vllaznia, të merrte për herë të parë kryesimin, kjo nuk ndodhi.

Kukësi vazhdon me rezultatet pozitive dhe këtë herë mposhti 2-0 Vllazninë, duke prishur gjithë ecurinë brilante të shkodranëve. Goli i parë i takimit erdhi nga Solodonvicov në minutën e 73, ndërsa 6 minuta më vonë, ishte po i njëjti lojtar që ndëshkoi për herën e dytë Vllazninë. Me këtë fitore Kukësi tregon qartë se nuk është dorëzuar në Superiore, ndërsa ekipi i Qatip Osmanit merr shkundjen e parë pas disa fitoreve pozitive radhazi. Më poshtë gjeni intervistat e trajnerëve në “MCN TV”:

Devolli: “Kemi katër ndeshja pa pësuar gol, kjo është pozitive. Nuk i kemi lënë asnjë hapësirë Vllaznisë. Në pjesën e dytë bëm presing lart pasi mbrojtësat e tyre kanë probleme me topat e gjatë. Djemtë sakrifikuan dhe ja ku janë rezultatet. Kishim 7 mungesa sot dhe prapë ia dolëm. E treguam veten edhe ndaj ekipit më në formë të Superiores. Për mua, në pjesën e dytë portieri ynë ishte vetëm një spektator. I morëm masat dhe Vllaznia nuk na ka rrezikuar në pjesën e dytë”.