Porosia e Duros: Harrojeni dënimin, fokusi në fushë!

Trajneri i Flamurtarit e pranon që me Partizanin është një ndeshje speciale, por edhe e vështirë. Synimi normalisht që do të jenë tre pikët

Elton Nika

Partizani-Flamurtari cilësohet edhe si kryendeshja e kësaj jave në Superiore, me dy skuadra që vijnë nga momente të mira në kampionat. Të kuqtë vijnë pas tre fitoreve rresht, ndërsa vlonjatët me fitoren e fundit kanë qëndruar në vend të tretë. Megjithatë, Flamurtari vjen në këtë sfidë pas një dënimi të dhënë nga FSHF kundër skuadrës dhe klubit vlonjat, dënim i cili ka sjellë reagime të ashpra në Vlorë dhe që shpresohet që diçka e tillë të mos ndikojë mbi të gjitha në fushën e lojës. Për këtë qëllim, trajneri Shpëtim Duro, para ndeshjes ka konfirmuar se është folur edhe me lojtarët dhe vëmendja mbetet vetëm te fusha e lojës dhe jo te dënimi.

-Duro të dielën përballë Partizanit, një klub që ju e njihni shumë mirë dhe një ndeshje e veçantë për ju. Si ndiheni?

Sigurisht që nuk mund ta fsheh se ndeshja me Partizanin është e veçantë për mua, për faktin se përballem si kundërshtar me një klub ku kam kaluar pjesën më të madhe të karrierës si lojtar dhe si trajner. Është një klub ku kam shumë miq, por profesionalizmi më kërkon që të synoj rezultatin me Flamurtarin, skuadër që unë drejtoj dhe padyshim që do të kërkoj maksimumin në këtë sfidë. Partizani vjen në një moment të mirë, pas një nisjeje të dobët, por ishte e natyrshme që skuadra të rikthehej në këtë situatë dhe të ngrihej pas startit jo fort të mirë. Tashmë është në një situatë shumë pozitive.

-Një ndeshje që vjen në një moment kur jeni njohur me dënimin e FSHF-së. Sa ndikon te skuadra?

Sigurisht, që dy ditë para takimit të njihesh me një dënim të tillë nuk është pozitive, por unë jam teknik dhe nuk dua të ndalem shumë te dënimi. Por dua të them se dalëngadalë po mbush vitin tek Flamurtari dhe na janë bërë të zakonshme dënimet, që janë të njëpasnjëshme, si vitin e kaluar, kur ishim për mbijetesë, ashtu edhe këtë vit kur po luajmë mirë. Megjithatë kam bindjen se edhe pse nuk është pozitiv, ne do t’ia dalim ashtu si bëmë vjet, ashtu do t’ia dalim edhe sivjet.

-A mund të themi se është tendencioz ky dënim?

Nuk dëshiroj ta komentoj më gjatë këtë fakt. Janë strukturat drejtuese, është vetë klubi, që natyrisht do të merret me këtë fakt.

-Kthehemi te ndeshja. Si e ka përgatitur Flamurtari takimin?

Normalisht unë e njoh Partizanin, ashtu si edhe ata na njohin ne, pasi jemi tashmë në javën e tetë. E rëndësishme mbetet që gjendja është e mirë, nuk kemi mungesa dhe kjo është pozitive. Megjithatë është fusha ajo që vendos. Do të shohim gjatë momenteve të takimit çfarë do të ndryshojë, apo çfarë mund të ndryshojmë. Gjithsesi them se situata është e mirë brenda skuadrës.

-Partizani vjen pas tre fitoreve radhazi, ndërsa Flamurtari është skuadra e transfertave. Çfarë do të thotë për ju?

Bilancet janë pozitive, pasi ne pothuajse kemi luajtur gjithë takimet jashtë. Vetëm dy ndeshje kemi luajtur në Vlorë, por mund të them se skuadra ka pasur ekuilibra në lojën e vet, si jashtë, ashtu edhe në Vlorë. Ne do të luajmë ndaj një kundërshtari të fortë, skuadër pretendente për titull dhe padyshim do të jetë e vështirë.

-Çfarë u keni kërkuar lojtarëve në stërvitjen e fundit, duke parë edhe dënimin?

Natyrisht që kam folur me lojtarët në seancën e fundit stërvitore. U kam kërkuar të mos mendojnë aspak dënimin, por vetëm për fushën e lojës. Janë vendime që për fat të keq ne nuk mund t’i kthejmë, ndaj na duhet të shohim vetëm fushën e lojës asgjë tjetër. Kemi një përballje të vështirë, por me lojtarët kemi biseduar dhe e rëndësishme mbetet që në çdo ndeshje të tregojmë cilësitë tona, duke parë se më pas do të luajmë edhe ndaj dy skuadrave të tjera pretendente për titull. Tani kemi vetëm Partizanin në mendje dhe duhet të bëjmë një ndeshje sa më të mirë.

-Partizani,Kukësi dhe Skënderbeu. Tre përballje që mund të tregojnë forcën e Flamurtarit…

Normalisht janë ndeshje që janë me kundërshtarë direkt, por çdo kundërshtar ka rëndësinë e vet. Ne sot duhej të kishim disa pikë më shumë, por çdo kundërshtar dhe çdo fitore ka rëndësinë e vet. Nëse fiton 1-0 përballë skuadrave të tilla edhe opinioni të vlerëson, ndërsa nëse fiton 1-0 përballë skuadrave më pak të rëndësishme, opinioni pak e pranon. Por unë the se çdo ndeshje, çdo kundërshtar ka rëndësinë e vet. ky kampionat është shumë i vështirë dhe çdo skuadër është përforcuar, ndaj ka mjaft ekuilibër dhe çdo ndeshje paraqet vështirësi.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online